Fajësia apo pafajësia e Ergys Kolaverit për akuzën e vrasjes për motive gjakmarrje mbetur në tentativë, do të varet nga fjala e dy ekspertëve, të caktuar nga gjykata e Apelit Tiranë.

Ekspertët kanë marrë si detyrë të përcaktojnë nga pamjet filmike të kamerave të sigurisë, se cilët ishin të paraburgosurit apo të dënuarit që ndodheshin në ambientet e ajrimit në burgun e Vaqarrit dhe nëse në mesin e tyre ishte Gazmir Daci, i cili dyshohet se ka qenë shënjestra e atentatit me snajper korrikun e 2016.

Ekspertët do të kryejnë gjithashtu edhe një eksperiment hetimor, që do duhet të përcaktojë kohën brenda së cilës mundet një person me moshën dhe karakteristikat e të pandehurit që nget një furgon tip “Vito” të udhëtojë nga Vaqarri deri në zonën e Institutit.

Kjo sepse i pandehuri pretendon se ndodhej në një lokal në Institut në kohën kur ndodhi krimi në burg, në një kohë që nga kamerat e sigurisë së një biznesi në Vaqarr, është fiksuar një furgon i bardhë “Vito”, me të cilin prokuroria beson se ka udhëtuar Kolaveri pas ngjarjes.

Diferenca mes kohës që furgoni është fiksuar në kamera me ato të kamerave të sigurisë së lokalit ku Kolaveri pretendon se ndodhej është jo më shumë se 1 orë. Ndaj përmes një eksperimenti hetimor, do të përcaktohet nëse kjo distancë përshkohet brenda këtij afati.

Që eksperimenti t’i shërbejë çështjes, ekspertët kanë përcaktuar se iu nevojitet i njëjti automjet, në të njëjtën gjendje dhe fuqi motorike, si dhe të shihet mosha e të pandehurit e karakteristikat e tij.

Ndërsa, këmbëngulin që eksperimenti të kryhet në të njëjtat kushte atmosferike, me ditën që ndodhi krimi. Fjala e tyre do të vendosë më pas edhe për fatin e të pandehurit, i cili u dënua fillimisht nga gjykata e Krimeve të Rënda me 20 vite burg, por me ngritjen e Gjykatës së Posaçme, dosja e tij kaloi në Apelin e Tiranës.

Ai akuzohet se në 30 korrik të vitit 2016, qëlloi me një armë snajper brenda ambienteve të burgut të Vaqarrit me qëllim për të vrarë, Gazmir Dacin, por gabimisht mbeti i plagosur një tjetër i paraburgosur. Daci akuzohet se ka vrarë vëllain e Ergys Kolaverit, si dhe ka plagosur rëndë vëllain tjetër të tij, ndaj prokuroria dyshon se i pandehuri e organizoi vrasjen e tij brenda në burg në shenjë gjakmarrjeje. Ergys Kolaveri u lirua nga qelitë në janar të 2020 për shkak të përfundimit të afateve të paraburgimit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb