Një ngjarje e rëndë raportohet se ka ndodhur në Dropull. Një çift të moshuarish janë gjetur të pajetë në banesën e tyre, me shenja dhune në trup.

Gazetari Igli Çelmeta raporton për BalkanWeb se burime nga policia bëjnë me dije se dyshohet për krim në familje dhe jo grabitje me pasojë vdekjen.

“Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit K. I., 84 vjeç dhe K. I., 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore.

Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive.

Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe së bashku me grupin e posaçëm hetimor të ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.”, sqaron policia.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb