Pas 5 viteve tek Lazio, Elseid Hysaj ka zyrtarizuar vendimin për ta mbyllur aventurën te skuadra kryeqytetase.. Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare u transferua në vitin 2021, për ta respektuar kontratën deri në fund.
32-vjeçari nga Shkodra largohet me kujtimin e 131 paraqitjeve. Gjatë pesë viteve shënoi dy gola dhe asistoi katër të tjerë, ndërsa sezonet e fundit ishin të vështira për të, për shkak të aktivizimeve shumë të pakta. Nëpërmjet një postimi në profilin e tij, Hysja falenderon klubin dhe tifozët lacialë për mbështetjen e tyre:
POSTIMI I ELSEID HYSAJT:
“Pas pesë vitesh në këtë fanellë, ka ardhur koha për të thënë lamtumirë.
Kanë qenë vite intensive, plot emocione, disa momente të bukura dhe të tjera më të vështira, por unë gjithmonë dhashë gjithçka, me profesionalizëm dhe respekt, deri në ditën e fundit.
Dua të falënderoj shokët e mi të ekipit, një grup të vërtetë djemsh të jashtëzakonshëm me të cilët ndava kaq shumë në fushë dhe jashtë saj.
Një falënderim i veçantë edhe për të gjithë tifozët e Lacios. Ngrohtësia, pasioni dhe mbështetja juaj kanë qenë të jashtëzakonshme dhe do të qëndrojnë me mua përgjithmonë.
Roma do të jetë gjithmonë një pjesë e rëndësishme e jetës sime. Unë dhe familja ime do të jemi gjithmonë mirënjohës. Ju uroj më të mirën. Ju e meritoni dhe shpresoj që Lacio të kthehet aty ku e meriton të jetë.
Faleminderit për gjithçka, forca Lacio gjithmonë”.
