VLORE-Shtatë vjet e gjysëm burg për dy persona që fituan me dokumenta false një truall toke me vlerë 2 milionë euro në zonën e plazhit të vjetër në Vlorë.

Zyra për shtyp e Prokurorisë së Përgjithshme njofton sot se, Gjykata e Vlorës ka pranuar kërkesën e Prokurorisë dhe ka dënuar me një dënim total prej 7 vjet e 6 muaj për dy shtetas, të akuzuar për “falsifikim dokumentash” më shumë se një herë, si edhe ka vendosur konfiskimin e truallit të përfituar nga falsifikimi i dy të pandehurve, e cila arrin në vlerën e tregut rreth 2 milionë euro dhe gjendet në zonën e plazhit të vjetër, në lagjen “1 Maji” të qytetit.

Në përfundim të gjykimit, gjykata ka vendosur dënimin me 3 vjet e 6 muaj burgim për shtetasin Vilson Lushaj dhe 4 vjet burgim për shtetasen Blerina Dhami, ish-juriste e Hipotekës së qytetit, të cilët, nëpërmjet falsifikimit, kanë përvetësuar dy sipërfaqe tokë truall në një total prej rreth 22 mijë metra katrorë.

HETIMI
Në hetim dhe më tej në gjykim, i pandehuri Vilson Lushaj është akuzuar se duke përdorur dokumenta të falsifikuara ka përfituar në mënyrë të kundraligjshme pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me nr.32/435, zona kadastrale nr.8604, e llojit truall, me sipërfaqe 20.039 m², ndodhur në lagjen “1 Maji”, Vlorë. Po kështu, i pandehuri Vilson Lushaj është akuzuar se duke përdorur dokumenta të falsifikuara ka përfituar në mënyrë të kundraligjshme pronësinë mbi pasurinë e paluajtshme me nr.17/1/2, zona kadastrale nr.8602, e llojit truall, me sipërfaqe 1.700 m², ndodhur në lagjen “Uji i Ftohtë”, Vlorë.

E pandehura Blerina Dhrami është akuzuar se në cilësinë e juristit të Z.Rr.P.P Vlorë, duke përdorur dokumentat e falsifikuara, duke pasur dijeni për përmbajtjen e tyre të rreme, si dhe duke kryer “korespondenca” me A.K.K.P Tiranë me qëllim verifikimin e dokumentave, por që në të vërtetë këto korespondenca kanë qënë të falsifikuara, në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore, si dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së saj, ka kryer regjistrimin në regjistrat e pasurive të paluajshme të Z.Rr.P.P Vlorë, të dy pasurive të paluajtshme të mësipërme, me sipërfaqe trualli 20.039 m² dhe 1.700 m², në favor të të pandehurit Vilson Lushaj dhe familjarëve të tij, duke i pajisur ata me dokumentat përkatëse të pronësisë.

(d.b/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb