Të luftosh me sëmundjen kancerit apo ta kesh mendjen se ku të gjesh paratë për të blerë disa nga ilaçet më jetike.

Personi në video quhet Nevruz Xhomaqi që ka ardhur nga Erseka në Tiranë për t’i qëndruar pranë bashkëshortes së sapo operuar në shërbimin onkologjik në QSUT, ku po vijon kimioterapinë.

I moshuari mban në dorë një kuti ilaçesh ku shkruhet ‘capecitabine’, një medicament i kushtueshëm dhe jetik për të postoperuarit nga kanceri i zorrës së trashë, të cilin thotë se e ka blerë në farmacinë spitalore të QSUT në një kohë që sipas tij ky bar është i rimbursueshëm dhe ofrohet falas nga shteti.

Në dosjen e tij ku ruan dokumentacionin e sëmundjes së bashkëshortes, Novruazi ka edhe tre receta të tjera të lëshuara nga mjeku specialist që duhet t’i blejë me lekë në dorë në rrjetin e hapur farmaceutik, pasi spitali më i madh në vend nuk i mbulon.

E si të mos mjaftojnë hallet e mëdha të sëmundjes, i moshuari thotë se e ka të pamundur të mbulojë shpenzimet e udhëtimit nga Erseka në Tiranë dhe anasjelltas sa herë që bashkëshortja bën kimion, ndaj dhe është strehuar tek një familjar i tij.

Pas denoncimit, ka reaguar spitali “Nënë Tereza”. Në njoftimin e përcjellë në News24, spitali më i madh në vend sqaron se alternativa e parë e barit, Capecitabine 500 mg tablet, ka pasur një vonesë për arsye të vonesave në procedurat e importit nga kompania që ka kontratë furnizimi me FSDKSH dhe nga informacionet e raportuara, kjo alternativë pritet të mbërrijë brenda kësaj jave.

Në pritje të mbërritjes së alternativës së parë, në farmacinë e QSUT është në gjendje alternativa e dytë e medikamentit që mbulohet në masën 87% të pagesës shteti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb