TIRANË- Banorë të kryeqytetit janë takuar sot me përfaqësues të Partisë Demokratike, ndërsa kanë deklaruar se janë hequr nga ndihma ekonomike dhe se ndihet të fyer e të braktisur nga ministri Erion Veliaj.

Ndërsa kanë treguar problematikat e tyre, ata theksuan se në mungesë të plotë transparence u thonë që nuk përfitojnë ndihmë ekonomikë, ndërkohë që janë futur në skemë persona me vila dhe makina.

Koordinatori kombëtar i Partisë Demokratike, Akil Kraja tha se ky është realiteti dhe kjo është Shqipëria reale ndryshe ajo e sukseseve imagjinare që rrëfen ministri Veliaj nëpër ekrane. Aktualisht, janë rreth 20 mijë familje që janë larguar nga skema e ndihmës ekonomike.

“Është një rrëfim që fatkeqësisht dëgjohet anembanë Shqipërisë dhe që dëshmon më së miri nevojën për të zbritur nga qielli i propagandës dhe me këmbë në tokë për të dëgjuar njerëzit, për t’i shërbyer qytetarëve të cilët kur janë të varfër kanë nevojë për ndihmë  kanë më shumë nevojë për ndihmë dhe jo për t’i trembur me lloj-lloj politikash propagandistike, reforma të cilat nuk kuptohen. Reforma të cilat janë të keqadministruara apo akoma më keq të cilat as nuk transmetohen siç duhen tek këto familje në nevojë. Përgjigje nuk ka, reforma diku është. Këto njerëz presin ndihmën sociale për të mos i vendosur në një vështirësi gjithmonë e më të madhe. Sot një dëshmi, por si këto janë mijëra të tjera të një situate që është anembanë Shqipërisë situate kritike për familjet shqiptare”, tha Kraja.

Ndërsa qytetarët traguan kushtet dhe situatat me të cilat përballen.

“Unë quhem Rajmonda Morava, jam e njësisë nr. 4. Na thonë hajde aplikoni, shkojmë aplikojmë. Në fund të muajit thonë do merrni përgjigjen, e merrni apo nuk e merrni asistencën. Shkojmë në Bankë thonë nuk e kemi neve por e ka njësia numër 4. Se ç’është kjo punë nuk e di. Unë kam tre muaj që nuk e marr asistencën. Hajde sot e hajde nesër, tallen me ne këta? Ne mezi e presim atë asistencë, sikur çfarë po na japin, 40.000 lekë të vjetra. Çfarë do bëj me atë asistencën, të paguaj drita a ujë, që na kërkon dhe kryeministri të paguajmë dritat e ujin? Prandaj i bëj thirrje qeverisë të na ndihmojë, mos na i ndërpresë se atë asistencë kemi, nuk kemi asnjë të ardhur tjetër. Burrin pa punë, vetë pa punë”, u shpreh një qytetare në nevojë.

“Jam një e përndjekur politike. Prej qershorit unë nuk marrë asistencë, se për çfarë më penalizuan nuk e di. Jam e ardhur nga Bulqiza, me asistencë , me pasaportizim, me vite pune edhe që në qershor 2014 sa fituan këta të rinjtë, unë kur shkoj të marr asistencën nuk marr asistencë. Ulem para nëpunëses, aplikoj me pastërtinë time si qytetare dhe më tha që nuk e meriton. Banoj me gocën time, fëmijët e mi s’kanë të hanë bukë e jo më të më japin mua. I kërkoj ministrit Veliaj që të më japë të drejtën time se s’kam lënë institucion pa shkuar”, tha një kryefamiljare.

“Jam kryefamiljar, jemi 5 veta në familje dhe kam 8 muaj që s’marr ndihmë ekonomike. Se si është kjo punë nuk e di. Hajde apliko sot, hajde apliko nesër. Kam shkuar aty por tani nuk e di se çfarë do bëhet. Nëqoftëse s’janë të zotë të na japin ndihmë ekonomike, na gjeni punë të shkojmë të punojmë të mbajmë fëmijët. Ai Erion Veliaj mos të shohë ato tavernat ato qejfet e veta por të shohë hallet e popullit me gjithë kryeministrin që thotë paguaj drita e paguaj ujë se nuk kemi me çfarë ti paguajmë. Të na gjejnë punë, të na japin ndihmë ekonomike që ti paguajmë edhe ne. Që nesër mos vijë të më fusë në burg ai e ti lë fëmijët rrugëve”, u shpreh një tjetër.

 

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb