Gjashtë fëmijë, të cilët dyshohet se janë paraqitur me simptoma helmimi, kanë marrë ndihmë mjekësore në Korçë, pas ushqimit që kanë marrë në të njëjtin kopsht.

Për ngjarjen, Policia ka nisur procedimin penal ndaj mjekes së Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Korçës dhe drejtoreshës së kopshtit.

Sipas Policisë, mjekja nuk ka njoftuar autoritetet për paraqitjen e fëmijëve me simptoma helmimi. Ndërsa drejtoresha dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional për kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

Njoftimi i policisë

DVP KORÇË

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Korçë proceduan penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetaset:

E. X., 57 vjeçe, me detyrë mjeke pranë Spitalit Rajonal Korçë, në pavijonin e Pediatrisë;

M. K., 60 vjeçe, me detyrë drejtoreshë e kopshtit ku qëndronin fëmijët që ishin paraqitur në spital.

Procedimi penal filloi pasi, gjatë pasdites së djeshme dhe ditës së sotme, janë paraqitur në spital 6 fëmijë nga i njëjti kopsht, me simptoma të njëjta gastrointestinale, dhe mjekja nuk ka njoftuar Policinë.

Ndërsa drejtoresha e kopshtit dyshohet se nuk ka përmbushur detyrimin funksional lidhur me kontrollin dhe verifikimin e ushqimit të konsumuar nga fëmijët.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme procedurale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: