Gjysma e grave në Afganistan dalin nga shtëpitë e tyre vetëm një ose dy herë në muaj, ndërsa kufizimet e vendosura nga talebanët kanë thelluar izolimin dhe përjashtimin e tyre nga jeta publike, sipas një raporti të UN Women. Afganistani mbetet i vetmi vend në botë ku vajzave u ndalohet arsimi i mesëm dhe grave arsimi universitar. Sipas UNESCO-s, rreth 2.4 milionë vajza janë privuar nga arsimi i mesëm që prej rikthimit të talebanëve në pushtet në vitin 2021.
Më shumë se 100 dekrete të autoriteteve talebane kanë kufizuar të drejtat e grave dhe vajzave. Sipas UN Women, rreth 75% e grave të anketuara nuk ndihen të sigurta të dalin nga shtëpia pa shoqërinë e një të afërmi mashkull.
Kufizimet kanë ndikuar edhe në shëndetin mendor: 7 në 10 gra e përshkruajnë gjendjen e tyre psikologjike si “të keqe” ose “shumë të keqe”, duke përmendur izolimin dhe mungesën e mundësive.
Gratë janë gjithashtu të përjashtuara në masë të madhe nga tregu i punës. Sipas raportit, vetëm 7% e grave janë të punësuara, krahasuar me 84% të burrave. Ndërkohë, talebanët i mohojnë akuzat për shkeljen e të drejtave të grave. Një zëdhënës i Ministrisë për Përhapjen e Virtytit dhe Parandalimin e Veseve tha se gratë afgane kanë akses në të drejtat e tyre dhe se situata po lëviz në “drejtim pozitiv”.
UN Women e konsideron situatën në Afganistan si krizën më të rëndë të të drejtave të grave në botë.
