Ferrari ka reaguar zyrtarisht ndaj zërave për të ardhmen e drejtuesit aktual të skuadrës, Frederik Vasër, dhe veçanërisht ndaj raportimeve për “sinjalet” e dërguara në Maranelo përmes shtypit britanik nga Kristian Horner, lidhur me interesimin e tij të mundshëm për postin që aktualisht mbahet nga drejtuesi francez.

Vasër po përballet me një sezon që, pas pushimit veror dhe pas fitoreve të Luis Hamiltonit në Barcelonë pranverën e kaluar dhe të Sharl Lëklerkut në Silverston në fillim të verës, ka marrë për Ferrarin një kthesë thellësisht zhgënjyese. Më poshtë janë pikat më të rëndësishme të komunikatës së djeshme të Ferrarit: “Ka pasur mjaft spekulime rreth Ferrarit dhe drejtimit të skuadrës.

Shumë njerëz mund të kenë pyetur veten se përse nuk reaguam më herët. Arsyeja është e thjeshtë: shpresonim që këto zëra të shuheshin. Pozicioni i Ferrarit është i qartë dhe nuk ka ndryshuar. Ferrari ka bërë zgjedhjet e veta dhe besimi te Fred Vasër dhe te ekipi i tij ka qenë dhe vazhdon të jetë i plotë. Ferrari ka ngjallur gjithmonë një interes të jashtëzakonshëm dhe kjo është gjithashtu një shenjë e forcës së asaj që përfaqëson në nivel botëror.

Jemi krenarë për këtë, por nuk duam të ushqejmë spekulime apo hipoteza që vijnë nga jashtë. I gjithë ky zhurmim nuk ndihmon. Është gjithashtu detyra jonë të përpiqemi t’i mundësojmë skuadrës të përqendrohet te ajo që duhet të bëjë mbi të gjitha: të kërkojë rezultate në pistë. Në këtë moment, është vërtet e rëndësishme që ekipi të mbetet i bashkuar dhe koheziv dhe që ne të përqendrojmë të gjithë energjinë te puna që na pret.

Ferrari ka ngjallur gjithmonë një interes të jashtëzakonshëm dhe është e natyrshme që shumë profesionistë të dëshirojnë të jenë pjesë e tij. Ne nuk kemi ndërmend të ushqejmë spekulime apo komente mbi supozime që vijnë nga jashtë kompanisë. Dhe kjo nuk lidhet vetëm me shkrimin e zotit Horner në ‘The Times’. Në përgjithësi, ka shumë spekulime rreth kësaj çështjeje”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb