Prokuroria Speciale e Kosovës, në bash këpunim me policinë kanë bastisur ditën e djeshme pesë organizata joqeveritare, me seli në Prishtinë dhe Prizren. Këto organizata me karakter fetar dyshohet se kanë financuar terrorizmin. Sipas një njoftimi për mediat, në Prishtinë OJQ-të e kontrolluara kanë qenë: “Nisa”, “Bregu i Diellit” dhe “Ibni Sina”, ndërsa në Prizren, “Kurani” dhe “Ehli Bejti”.

Bastisja e tyre është kryer për shkak të dyshimit se, këto OJQ kryenin veprën penale të pastrimit të parave në favor të grupeve të dyshuara si ekstremiste. Gjatë bastisjeve janë sekuestruar sende që mund të shërbejnë si prova materiale, saktësohet në komunikatën për shtyp. Siç njoftoi prokuroria, veprimet e ndërmarra janë pjesë e një hetimi për parandalimin dhe luftimin e terrorizmit në Kosovë.

Operacioni vjen vetëm pak ditë pas publikimit të raportit të Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e cilësonte Kosovën si vendburim luftëtarësh të huaj për ISIS-in dhe Al-Nusran, dy organizata që veprojnë në Lindjen e Mesme. DASH publikoi të premten një raport mbi terrorizmin, sipas të cilit, kërcënimi i ekstremizmit të dhunshëm islamik ka ardhur duke u rritur gradualisht në Kosovë, që pas konfliktit të vitit 1999, i ndihmuar pjesërisht edhe nga financimi i organizatave të huaja që predikojnë ideologji ekstreme.

Rreth 150-200 luftëtarë të huaj terroristë nga Kosova, kanë shkuar në Siri dhe Irak për të luftuar përkrah Shtetit Islamik dhe Frontit Al-Nusra. Nga këta, rreth 20 janë vrarë. Grupet e dhunshme ekstremiste përdorin aktivisht rrjetet sociale për të përhapur propagandën e tyre dhe për të rekrutuar njerëz. Në Kosovë nuk kanë ndodhur deri tani incidente terroriste. Sipas DASH, publikimi në internet i një videoje që tregonte një luftëtar terrorist nga Kosova duke i prerë kokën një të riu në Siri, nxiti qeverinë që të fillonte një operacion antiterrorist në shkallë të gjerë.

Në raportin e departamentit amerikan saktësohet se Qeveria e Kosovës e mirëpret bashkëpunimin me Shtetet e Bashkuara për përpjekjet antiterroriste. Shtetet e Bashkuara i kanë ndihmuar autoritetet vendase për disa raste aktive anti-terroriste. Në vitin 2014, autoritetet e Kosovës arrestuan rreth 70 individë nën dyshimet për terrorizëm, rreth 40 prej të cilëve ishin luftëtarë të huaj, terroristë të kthyer. Autoritetet e Kosovës miratuan ligjet përkatëse në vitin 2014, që e bën krim pjesëmarrjen ose mbështetjen e grupeve ushtarake që veprojnë jashtë Kosovës.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb