Finlanda ka vendosur kufizime të reja për përdorimin e celularëve dhe pajisjeve të tjera elektronike gjatë orarit të mësimit, për shkak të shqetësimeve në rritje lidhur me ndikimin negativ që ato kanë në përqendrimin, mirëqenien dhe procesin e të nxënit te fëmijët.

Sipas ligjit të miratuar nga parlamenti finlandez, përdorimi i celularëve do të jetë i lejuar vetëm me miratimin e mësuesit dhe vetëm për arsye arsimore ose shëndetësore. Në rast se një nxënës përdor pajisjen në mënyrë që pengon procesin mësimor, drejtori apo mësuesi ka të drejtën ta përjashtojë përkohësisht atë nga klasa.

Gjithashtu, është kërkuar nga Ministria e Arsimit dhe Kulturës që të realizojë një studim të detajuar mbi ndikimin e kufizimit të celularëve në sistemin arsimor, si në Finlandë, ashtu edhe në vendet e tjera. Ky studim pritet të përfundojë brenda një viti dhe, nëse do të jetë e nevojshme, do të pasohen me masa të tjera shtesë.

Finlanda i bashkohet një numri gjithnjë e më të madh vendesh evropiane që kanë ndërmarrë hapa të ngjashëm. Për shembull, Danimarka ka deklaruar ndalimin e celularëve në të gjitha shkollat gjatë këtij viti, ndërsa Franca që prej vitit 2018 ua ka ndaluar nxënësve të arsimit fillor dhe të mesëm përdorimin e telefonave brenda ambienteve shkollore. Ndërkohë, Norvegjia ka vendosur një moshë minimale prej 15 vjetësh për përdorimin e rrjeteve sociale.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb