Holanda ka marrë një fitore dramatike 2-1 ndaj Uzbekistanit në një ndeshje të luftuar deri në sekondat e fundit në Icahn Stadium të Nju Jorkut. Skuadra e Ronald Koemanit, e goditur para takimit nga lajmi i dëmtimit të Timberit, arriti të sigurojë suksesin vetëm në kohën shtesë.
“Oranje” kaluan në epërsi në minutën e 32-të, kur Cody Gakpo u tregua i saktë nga pika e bardhë. Penalltia u akordua pas një ndërhyrjeje të parregullt të Urozovit ndaj Summerville, ndërsa portieri Yusupov, megjithëse preku topin, nuk arriti të shmangte golin.
Holandezët vazhduan të kontrollonin lojën dhe në minutën e 70-të menduan se kishin dyfishuar avantazhin me Brobbeyn, por goli u anulua për pozicion jashtë loje.
Momenti që ndryshoi ritmin e takimit erdhi në minutën e 88-të, kur Til u ndëshkua me karton të kuq, duke e lënë Holandën me dhjetë futbollistë. Uzbekistanit iu dha kështu mundësia të shtonte presionin dhe në minutën e 92-të Sergeev përfitoi nga një top i mbetur në zonë për të barazuar shifrat në 1-1.
Kur ndeshja dukej se po shkonte drejt barazimit, Holanda fitoi një tjetër penallti në minutën e 98-të pas faullit të Ashurmatovit. Sërish në qendër të vëmendjes ishte Cody Gakpo, i cili nuk gaboi nga 11 metrat dhe vulosi fitoren 2-1 për skuadrën e Koemanit.
Një sukses i vuajtur, por i rëndësishëm për Holandën, që tregoi karakter deri në fund dhe gjeti zgjidhjen në momentin vendimtar, ndërsa Uzbekistani i Fabio Cannavaros mbetet me keqardhjen e një rezultati që iu rrëshqiti nga duart në sekondat e fundit.
