Ilnisa Agolli

Episodet e dhunës apo të seksit, janë dy fenomene që morën vëmendjen tonë. Ne e dimë mirë këtë. Siç dimë benzinën që hodhëm në zjarrin virtual të rrjeteve sociale, me përlumin e mllefosur në komentet klasike.
Nuk është mbushur java dhe në më pak se katër ditë, e gjithë shoqëria jonë, natyrisht e papërtuar siç e pakursyer që është, e gjeti prapë lodrën e rradhës. “Revolta e studentëve.” E cila për hir të së vërtetës m’i lëkund mjaftueshëm themelet e mendimit apo qëndrimin që duhet të mbaj. Jo vetëm mua, por të gjjthë kolegëve gazetarë. Të cilët çdo ditë, po e raportojnë situatën në formë të shkëlqyer. Episodet, janë si tjegullat e një çatie në këtë vend. Të cilat në këtë rast po thyen dhe shtëpia nuk i ka më mbi kokë. Dhe episodet kryengritëse midis një brezi që kërkon të rri në Shqipëri dhe policëve, të cilët më dhimbsen në këtë rast, më sjellin në mend një shprehje që diku e rrëmova : “Duhet të jetë vërtet i pasur ai shtet që mund t’ia lejojë vetes, ta shndërrojë gjysmën e popullit në policë dhe gjysmën tjetër në të burgosur dhe të gjitha me shpenzimet e shtetit”.

Por ajo që dua të bëj tani është t’i bëj bisht bisedës. Janë dy paragrafe shumë të rëndësishme, që do të ndaj me ju.

Lexoni me kujdes:

“Revolta e studentëve në dhjetor të vitit 1990, ajo që na pati rrëmbyer me vete, solli menjëherë, tepër shpejt, një parti dhe neve na mbeti britma në fyt. Partia doli sakaq me programin dhe statusin e saj, pa kaluar ende tre ditë nga shpërthimi i kryengritjes. Na ngriu fjala në buzë sepse tani e tutje, edhe kryengritja paqësore e humbi kuptimin. Sepse asaj i dhanë një kanal dhe program ku duhej të futej.

– Po ne që nuk hyjmë dot aty si t’ja bëjmë? – Po ne që e ndjejme veten gjatë gjithë jetës studentë dhe që na duket se, sapo filluan pak demostratat nëpër rrugët e Tiranës, njerëzit i kthyen në shtëpira si t’ja bëjmë? Atëherë e vendosëm. Ju mbajeni statutin për vete; partiakëve të prerë për atë punë; ne do të bëjmë refleksione.”

E dini kush e ka shkruar këtë? Kryemistri i Shqipërise dhe Ardian Klosi. Unë i kthehem herë pas here, këtij libri sa për të kuptuar distancën e njeriut kur humb veten, si puna e penës magjike që humb shkëlqimin pasi gënjehet nga krijesat hibride, të cilat mesa duket nuk kanë vdekur qysh nga koha mitologjisë, e si fantazma kthehen çdo vjeshtë në Tiranë. Dhe meqë dje ishte 16-të tetori i ditës së lindjes të diktatorit, e gjej të arsyeshme të ndaj edhe këtë paragraf.

“Sikur t’i linim ngjarjet e 1990-1991, për t’i treguar pas 30-të vjetësh, nuk kishim për të shkruar më mirë se Enver Hoxha kur na njoftoi për rrezikun anglo-amerikan ose kur hodhi themelet e pushtetit popullor”.

Kanë kaluar 35-së vite nga mbyllja e këtij prologu të shtatorit të vitit 1991, për dy ngjarjet më të rëndësishme të Shqipërisë, të cilat kanë mbetur të shkruara me meritë shumë të madhe vetëm nga vëmendja e Ardian Klosit dhe Edi Ramës aso kohe. Sidoqoftë, ajo që më bën përshtypje më shumë se gjithëçka më lart, është vijimi asaj që nuk di të shkruaj më poshtë. Dhe kjo është e tmerrshme.

Ç’do të bëhet më tutje? A mundet kush ta përkthej këtë revoltë që ndoshta, është më e madhja nëpër gjithë zgëqet e Ballkanit?

E vetmja gjë që të mbetet në grykë është trishtimi dhe neveria kur sheh se si guri, ka zëvendësuar fjalën. Kur sheh se si molotovi, ka zëvendësuar të drejtat e rinisë dhe gazi lotësjellës, një ideologji e cila nuk shfaq kurrë në asnjë gadishmëri lufte, kundruall paqes së bekuar ; siç na udhëzonte për më të mirën dikur, historiani romak Titus Livius.

Sepse në fund, nuk i plas askujt as për historianët e vjetër, as për “Refleksionet” e Ramës dhe Klosit, as për mitologjinë dhe as për broçkullat e mija në këtë rast. Andaj po e mbyll me atë që e shoh të udhës dhe me të njëjtën të drejtë siç Ardiani shkretë kur thoshte se “Arritja më e madhe e epokës së socializmit, ishte per ne masturbacioni” dhe askush nuk e vuri re këtë. Dhe as po e vë re, sa e thjeshtë paskësh qenë e gjithë kjo epokë socialiste, si fitorja dhe humbja më e madhe e një vendi pasi kupton se po të mos ishte për ata lart, kjo punë nuk do të ishte dhe kaq e vetmuar.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: