Aktori i njohur Bujar Asqeriu ka shprehur mbështetjen e tij për protestat kundër qeverisë dhe kërkesat për largimin e kryeministrit Edi Rama, duke u drejtuar me një mesazh të fortë protestuesve, veçanërisht të rinjve.
Në reagimin e tij publik, Asqeriu e cilësoi protestën si paqësore dhe kurajoze, ndërsa përgëzoi pjesëmarrësit për qëndresën dhe angazhimin e tyre.
Duke cituar vargjet e Migjenit, ai u shpreh se të rinjtë po “këndojnë këngën e lirisë, të qëndresës dhe të guximit”, duke i konsideruar ata si të ardhmen e Shqipërisë.
Asqeriu theksoi se shqiptarët duhet të bashkohen në mbrojtje të interesave të vendit dhe të mos lejojnë ndarjet politike.
Mesazhi i plotë:
Jam këtu, të dashur miq, të dashur të rinj dhe të reja, në mbështetje absolute të protestës suaj paqësore, të dhimbshme, kurajoze, trimërore.
Migjeni do të thoshte: ‘Rini, rini, thuaja këngës më të bukur që di!’ Dhe ju po thurni dhe po këndoni këngën e lirisë. Ju po këndoni këngën e qëndresës. Ju po këndoni këngën e guximit. Ju jeni e ardhmja e këtij vendi. Ju do ta bëni Shqipërinë më të bukur, më të fortë dhe më të fuqishme në Ballkan dhe në Europë. Për këtë, ju përgëzoj dhe ju nderoj pamasë.
Shqipëria, të dashur miq, ndodhet në momente historike. Thonjtë e politikës gati po e shqyejnë dhe po e mbysin prej kaq vitesh. Retorikat e politikanëve shkojnë dhe vijnë pa zgjidhje, pa asnjë të ardhme. Të rinjtë po na largohen. Spiunët, patronazhistët kanë futur hundët kudo për të përçarë këtë popull, për ta armiqësuar me njëri-tjetrin. Kanë futur hashëmin nëpër familje, në shoqëri, kudo.
Jo, zotëri, ne jemi shqiptarë. Ne jemi shqiptarë dhe duhet të dalim siç keni dalë juve në mbrojtje të atdheut tonë. Këtë atdhe që Ismail Beu në 1912 na e la më të madh.
Por tradhtarët e Shqipërisë, që nuk kanë munguar asnjëherë, e kanë shitur, e kanë blerë dhe vazhdojnë ta shesin këtë tokë. Tokën e Arbërit. Gjakun e Skënderbeut, të trimave të Skënderbeut, të trimave shqiptarë.
Prandaj, qëndroni dhe mos u tutni. Mos u trembni, siç keni qëndruar, sepse fitorja është me ju. Ju përqafoj me shumë dashuri të gjithëve.
