Binomi Juventus-Morata para dy sezonesh ishte më shumë sesa i suksesshëm, por sulmuesi spanjoll si fillim ishte i detyruar të kthehej te Real Madrid dhe më pas te transferohej te Chelsea.

Blutë e Londrës shpenzuan 80 mln euro për ta marrë nga ‘galaktikët’, por Morata në sezonin e parë nuk i ka përmbushur pritshmëritë, duke shënuar vetëm 11 gola deri më tani. Për këtë statistika si dhe paraqitjet e dobëta në fushë spanjolli ka marrë shpeshherë edhe vërshëllimat e publikut.

Nga kjo situatë po kërkon të përfitojë Juventusi, skuadër të cilën sulmuesi i Chelsea-s e ka shumë përzemër. Janë disa fjalë të thëna prej tij sezonin e kaluar të cilat bindin akoma më shumë ‘zonjën e vjetër’ për të rikthyer të preferuarin e tyre, raporton ‘gazzeta dello sport’.

“Unë erdha si një djalosh dhe u largova prej andej si futbollistë mi vërtetë. Italia, për një spanjoll, është vendi më i mirë i mundshëm për të jetuar. Atje ke gjithçka: bukurinë, historinë, artin, kuzhinën dhe modën. Të ishte në dorën time nuk do të lija kurrë Juventus,” – tha ai.

“Kishte një marrëveshje mes klubeve dhe unë më duhet ta respektoja. Zhgënjimi ishte i madh, sepse u riktheva në pikën fillestare, në stolin e Real Madrid, ku më trajtonin si ai fëmija që kisha qenë para se të luaja për dy sezone duke fituar titullin në Serie A dhe duke luajtur në një finale të Champions League.”

Gjithsesi, Chelsea nuk është i bindur për të shitur blerjen më të shtrenjtë në historinë e klubit, me shpresën që të ketë një sezon të dytë më të mirë në “Stamford Bridge”, por gjithçka do të zgjidhet verën e ardhshme.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb