Strategjia Afatmesme Fiskale duhet të ketë në themel të saj zgjerimin e bazës tatimore dhe heqjen e përjashtimeve fiskale.

Nëse programi afatmesëm fiskal i qeverisë ka parasysh këto parime dhe zbaton rekomandimet që ka dhënë Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), të ardhurat buxhetore mund të rriten me 2.4 pikë për qind të Prodhimit të Brendshëm bruto (PBB) në katër vitet në vijim, vuri në dukje FMN në raportin e fundit për rishikimin e ecurisë së ekonomisë shqiptare. Por, me masat që parashikon të marrë qeveria shqiptare, të ardhurat do të rriten më pak se 1 pikë përqind e PBB-së.

Fondi vuri në dukje se Paketa Fiskale e propozuar në 2022 përfshin disa masa që u rekomanduan nga FMN 2019. Heqja e disa përjashtimeve (karburanti i ofruar për jahtet), indeksimi i akcizave me inflacionin, heqja e skemës së kompensimit për fermerët, rritja e kufirit për heqjen e përjashtimit nga TVSH për makineri e pajisje nga 50 në 500 milionë lekë, unifikimi i akcizës së gazit (nga 1 korriku 2022) janë hapa në drejtimet e duhura. Përjashtimi nga akciza për fermerët u shty në vitin 2024.

Megjithatë, disa masa, të tilla si futja e një norme të dytë të reduktuar të TVSH-së në sektorin e turizmit dhe struktura e propozuar e Tatimit mbi pagat ka të ngjarë të dëmtojë më tej qëndrueshmërinë e sistemi tatimor.

Fondi sugjeroi se për të formuluar një politike fiskale të qëndrueshme dhe gjithë përfshirëse për palët e interesuara, Ministria e Financave duhet të forcojë kapacitetet e departamentit të politikave fiskale, i cili mund të orientojë qeverinë në politikat të duhura dhe të qëndrueshme.

Misioni i FMN-së gjatë takimit të fundit konfirmoi edhe njëherë qëndrimin kundër amnistisë, përjashtimeve dhe stimujve, të cilat janë kundër strategjisë afatgjatë të qeverisë për rritjen e të ardhurave.

Në vitin 2019, dy misione të FMN-së, mbi politikën tatimore dhe administrimin e të ardhurave asistuan qeverinë shqiptare për zhvillimin e opsioneve të të ardhurave, të cilat do të ishin baza mbi të cilën do të ndërtohej strategjia afatmesme e Politikes së të ardhurave.

Por fillimisht tërmeti dhe pas pandemia vonuan përfundimin e strategjisë, teksa në vitin 2021, Ministria e Financave kërkoi ndihmën e FMN-së për rishikimin dhe finalizimin e draftit të strategjisë.

“Disa masa të marra që nga viti 2019 për të zbutur ndikimin e goditjeve janë të justifikuara, por të tjera masa rrisin shtrembërimet dhe minojnë qëndrueshmërinë e sistemit tatimor” thuhet në raportin e FMN-së.

Pas pandemisë, Shqipëria miratoi shtyrje tatimore që ofruan lehtësira të përkohshme për bizneset më të prekura. Megjithatë, masa të tilla si rritja e tatimit mbi të ardhurat e patatueshme të korporatave, pragu për të përjashtuar bizneset me xhiro vjetore deri në 14 milionë lekë dhe tatimi i mbajtur në burim nga dividendi, krijoi një shteg për individët me të ardhura të larta që tani mund të shmangin taksat përmes regjistrimit si biznese, duke dobësuar ndjeshëm sistemin e tatimit mbi të ardhurat personale (TAP), vuri në dukje Fondi. Shkalla më e lartë tatimore, diferenca midis bizneseve nën dhe mbi pragun e thellon nxitjen për të nën-raportuar ose për të copëtuar biznesin, çka redukton bazën tatimore të bizneseve.

Shqipëria duhet vendosë një regjim tatimor të përshtatshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (SME). FMN këshilloi se, në për ndërmarrjet e vogla dhe mesme duhet të vendoset pragu i regjistrimit për TVSH-në dhe tatimin mbi të ardhurat, të përcaktuara si ato me qarkullim nën këtë prag, pavarësisht strukturës së tyre të biznesit.

FMN sugjeroi se strategjia afatmesme fiskale duhet të hartohet dhe të shihet si plani i reformave tatimore të Shqipërisë në afat të mesëm.

Kjo strategji duhet të zëvendësojë ndryshimet e copëzuara dhe të shpeshta të ligjeve tatimore.

Përtej rezultateve në të ardhura, politika tatimore afatmesme do t’i bëjë me të lehta parashikimet e sistemit tatimor dhe administrimin e të ardhurave.

Fondi këshilloi se duhet të eliminohen mospërputhjet ndërmjet ndryshimeve vjetore në ligjet fiskale dhe asaj që është rënë dakord në politikën afatmesme.

Fondi sugjeroi se gjatë vitit 2022 politika fiskale duhet të ketë një objektiv të qartë për rritjen e të ardhurave. Secila prej masave të reformës së politikës tatimore në Strategjinë Afatmesme duhet të tregojë qartë objektivin e saj, argumentet, kohën e zbatimit dhe ndikimin e pritshëm në të ardhura. Fondi këshilloi që strategjia duhet të shoqërohet nga një Plan Veprimi dhe të tregojë hapat vijues që çojnë në arritjen e objektivave te të ardhurave.

FMN vlerësoi se strategjia e re fiskale, kur ishte në formën e një drafti në vjeshtë të këtij viti, la të hapur hendekun për të përmbushur kufirin e poshtëm të objektivit për rritjen e të ardhurave me 1 pikë përqind të PBB-së nga reformat e reja të politikës tatimore. FMN sugjeroi se ky hendek ka nevojë të plotësohet dhe për këtë duhen masa fiskale shtesë që synojnë rritjen e të ardhurave.

Rekomandimet e FMN për Strategjinë Afatmesme Fiskale

  • Vendosni një objektiv të vetëm të të ardhurave të përgjithshme për periudhën afatmesme. Përcaktoni objektivat vjetore të të ardhurave, duke treguar shpërndarjen e barrës tatimore dhe qëllim gjatë të gjithë periudhës së strategjisë.
  • Vlerësoni ndikimin në të ardhura të secilës prej reformave të politikës tatimore dhe përfshijini në strategjinë afatmesme.
  • Të sigurohet që të gjitha masat e lidhura me taksat në Paketën Fiskale 2022 të jenë në Strategjinë Afatmesme Fiskale. Në vazhdim, sigurohuni që të mos ketë mospërputhje ndërmjet Strategjisë Afatmesme ndryshimeve vjetore të politikës tatimore.
  • Përfshini aspiratat e reformave tatimore në Strategjinë afatmesme së bashku me projektet dhe ndikimin e tyre në ardhura.
  • Të vendoset një prag i vetëm regjistrimi për TVSH-në dhe tatimi mbi të ardhurat në bizneset e vogla dhe mesme dhe të përkufizohen si ato me qarkullim nën këtë prag, pavarësisht nga struktura e tyre e biznesit.
  • Hartoni një regjim të thjeshtuar tatimor për të trajtuar në mënyrë të barabartë tatimpaguesit.
  • Rishqyrtoni hartimin e grupeve të tatimit mbi të ardhurat personale ( e përfshire ne paktën fiskale 2022)
  • Mbyllni hendekun ndërmjet qëllimit të deklaruar të të ardhurave në Strategjinë Fiskale, duke aplikuar reforma shtesë për rritjen e të ardhurave./monitor/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb