LONDËR – Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) vuri sot në dukje pasiguritë që lidhen me organizimin e referendumit për qëndrimin ose jo të Britanisë së Madhe në Bashkimin Evropian, që pritet të kenë një ndikim negativ në planin e investimeve në vend.

Në një raport vjetor mbi ekonominë britanike, Fondi përshëndeti performancën e konsoliduar ekonomike të Britanisë së Madhe, e cila ka shënuar një rritje prej 2,2 për qind në vitin 2015 dhe ku Produkti i Brendshëm Bruto ka mundësi, sipas FMN-së, të shënojë rritje me të njëjtin ritëm si në vitin 2016 ashtu edhe në 2017.

Drejtuesit e Institucionit ndërkombëtar me seli në Uashington bënë të ditur se perspektivat ekonomike të vendit ishin të kërcënuara nga rreziqet dhe pasiguritë, në mesin e së cilave edhe organizimi i referendumit të ardhshëm për qëndrimin në Bashkimin Evropian.

Ky raport i FMN-së u prezantua para samitit evropian të Brukselit më 18 dhe 19 shkurt, në të cilin kryeministri britanik, David Cameron zhvilloi bisedime me homologët evropianë për arritjen e një marrëveshjeje rreth qëndrimit të vendit të tij në BE.

FMN-ja nënvizoi se ishte e vështirë për të vlerësuar impaktin në planin ekonomik që do të kishte një largim i mundshëm i Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Ajo shtoi se ky parashikim është bërë i pasigurtë nga të panjohurat rreth natyrës së marrëdhënieve me BE-në.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: