Këngëtarja Aurela Gaçe ka shprehur ngushëllimet për ndarjen e parakohshme nga jeta të gazetarit Enrik Mehmeti, duke ndarë kujtime nga mbështetja e pakursyer që ai u ofronte artistëve.
Gjatë fjalës së saj, ajo tregoi bisedën e tyre të fundit e cila kishte ndodhur vetëm një javë më parë, ku Enriku i kishte ofruar ndihmë me mjete lundruese për xhirimet e këngës së radhës.
Aurela bëri një premtim publik se do ta realizojë këngën për të cilën kishin biseduar bashkë, si një peng dhe amanet nga komunikimi i tyre i fundit. Ajo e mbylli mesazhin duke konsideruar ikjen e tij si një humbje të madhe jo vetëm për familjen, por edhe për botën e gazetarisë, duke e vlerësuar atë si një nga djemtë trima të këtij profesioni.
“Të thuash është një në radhë të parë një humbje e madhe për familjen, duke ditur që ka dhe dy fëmijë shumë të vegjël, madje sapo ishte bërë me djalë. Unë e kam njohur jo thjesht si gazetar, e kam njohur nga ana njerëzore. Sa herë i kam kërkuar ndihmë ka qenë aty në këmbë për mua, dhe jo vetëm për mua, por për shumë artistë që kanë kërkuar ndihmë qoftë për mjete ujore, qoftë për makina, qoftë për gjetje lokacionesh. Ai ka qenë me mua mbështetje duke ardhur edhe duke më shoqëruar nëpër anije, duke folur me njerëz që i njihte vetë. Të marrësh nga koha jote dhe t’ia dhurosh dikujt tjetër tregon për zemërgjerësinë dhe tregon për ty si njeri, çfarë je ti si njeri. Se mund ta bësh njëherë, por ai e ka bërë gjithmonë.
Dhe hera e fundit që unë fola me të ishte para një jave. Ndodhesha rastësisht në Vlorë për xhirime dhe jo më para se një javë fola me të dhe më tha: ‘Nëse të duhet një flotë e madhe me skafe me gomone, 100, t’i bën vëllai të rreshtohen aty’, më tha. Dhe thashë: ‘Do ta bëj një këngë’. Dhe tani meqë i dhashë fjalën, unë kam për ta bërë, kam për ta bërë sepse ishte biseda jonë e fundit.
Ngushëllime familjarëve, ngushëllime të gjithë miqve, të gjithë atyre që morën nga Enriku. Iku edhe gazetarisë sepse ishte një nga djemtë trima. Faleminderit”, u shpreh ajo.
