NGA ERJON SKENDAJ

TIRANE- Pas komunikimit zyrtar të largimit kolektiv nga puna, punonjësit e 4 drejtorive tanimë të shkrira që deri dje kontrollonin spitalet, kanë kërkuar një takim me drejtorin e Fondit të Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor, por ky i fundit vetëm sa i ka përcjellë tek ish-drejtoresha e tyre.

Punonjësit thanë se do t’i drejtohen në grup gjykatës me argumentin se u janë shkelur çdo e drejtë që sanksionohet nga Kodi i Punës.

Ata thanë se do të dërgojnë në gjykatë edhe drejtoreshën që ka firmosur largimin, e që sipas tyre po shkel ligjin duke mbajtur në punë specializantë.

Por akuza më e rëndë është ajo e mbajtjes në punë të një personi me precedentë penalë të formës së prerë, që sipas tyre ka drejtuar komisionin e ristrukturimit me emërim direkt nga drejtori i Fondit.
“News 24” ka siguruar skedën penale të punonjëses në fjalë që mban një post drejtues në FSDKSH e cila rezulton e dënuar penalisht për kundërvajtje të rëndë rrugore.

Ata deklaruan se me shkrirjen e katër drejtorive, spitalet publike dhe private që kanë kontratë me Fondin, kanë mbetur pa asnjë kontroll që prej dy muajsh.

Pas këtyre deklaratave ka reaguar Fondi i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor.

Përmes një komunikate të shpërndarë për mediat ky institucion deklaron se reforma e nisur synon ristrukturimin e drejtorive të kontrollit spitalor me argumentin se struktura është tejet e fryrë dhe joeficiente.

Në kuadër te ristrukturimit, kontrolli spitalor i ka kaluar Drejtorisë Qendrore dhe për rrjedhojë janë suprimuar sektorët e kontrollit spitalor dhe janë njoftuar për ndërprerjen e marrëdhënieve te punës 34 punonjës.

Sipas Fondit asnjëri prej të larguarve nuk rezulton të jetë mjek, por shumica ekonomistë, ndryshe nga sa deklarojnë vetë punonjësit ku mes tyre ka edhe mjek peumologë apo doktor shkencash në mjekësi. Madje ky fakt pranohet nga vetë Fondi në vendimin për largimin nga puna të disa prej punonjësve me profesion mjek.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb