Forcat rebele në Libi thanë se kanë marrë kontrollin e qytetit bregdetar Sirte, gjë që mund të shënojë një fitore strategjike për to. Sirte është kontrolluar nga forcat aleate të Qeverisë në Tripoli – e cila mbështetet nga Kombet e Bashkuara – prejse militantët e grupit Shteti Islamik janë dëbuar prej atje në vitin 2016.

Forcat rebele, të udhëhequra nga gjenerali Khalifa Haftar, tash e sa muaj, janë në një ofensivë që synon marrjen e kontrollit të kryeqyetetit Tripoli. BBC, duke u thirrur në burimet e veta, raporton se trupat e Haftarit janë tashmë në Sirte. “Sirte është çliruar plotësisht … nga grupet terroriste”, tha Ahmed al-Mesmari, zëdhënës i forcave të gjeneralit Haftar, në një deklaratë televizive, shkruan Rel.

Qeveria në Tripoli nuk i ka konfirmuar raportet. Ato vijnë në ditën kur presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka njoftuar se trupat turke kanë nisur të vendosen në Libi, pasi Parlamenti turk e ka miratuar një veprim të tillë javën e kaluar. Turqia e mbështet qeverinë në Tripoli, ndërsa Haftar mbështetet nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Sirte, qytet bregdetar, është e pasur me naftë. Libia është shkatërruar nga dhuna prejse sundimtari shumëvjeçar, Muammar Gaddafi, është rrëzuar nga pushteti dhe është vrarë në vitin 2011 nga forcat e mbështetura nga NATO-ja. Ky vend ka dy administrata rivale, atë të mbështetur nga Kombet e Bashkuara, me seli në Tripoli, dhe atë të gjeneralit Haftar në qytetin lindor të Tobrukut.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb