Një moment simbolik u regjistrua gjatë protestës qytetare në ditën e 50-të të saj, ku një protestues vendosi të “dekorojë” pjesëmarrësit me medalje simbolike në shenjë vlerësimi për qëndresën e tyre.

Në fjalën e tij, ai tha se medalja ishte prej letre, por sipas tij, protestuesit meritonin medalje diamanti për vendosmërinë që kanë treguar gjatë 50 ditëve të mobilizimit.

“Sot kam nderin t’ju dekoroj të gjithëve me një medalje. Është prej letre, por ju meritoni medalje diamanti. Nuk ka metal të çmuar që ta arrijë prestigjin tuaj. Nuk ka uratë që arrin prestigjin e shqiptarëve të bashkuar. Treguat se jemi një forcë e pamposhtur”, u shpreh ai.

Qytetari theksoi se protesta ka hyrë në histori si një nga mobilizimet më të gjata qytetare, ndërsa vlerësoi qëndresën e protestuesve përballë kritikave dhe sulmeve.

“Sot bëjmë histori. Kemi hyrë në një nga protestat më të gjata. Për 50 ditë kemi duruar urrejtje, baltëhedhje, sharje dhe ofendime, por nuk u dorëzuam dhe nuk do të dorëzohemi”, deklaroi ai.

Në vijim të fjalës së tij, protestuesi shtoi se mobilizimi do të vazhdojë për aq kohë sa do të jetë e nevojshme.

“Jo 50, as 150, por edhe 1 550 ditë do të jemi sërish këtu. Janë përpjekur të na përçajnë dhe të na etiketojnë gjatë gjithë kësaj kohe, por ne jemi shqiptarë të Shqipërisë”, tha ai.

Në fund, ai u bëri thirrje qytetarëve që nuk i janë bashkuar ende protestës të marrin pjesë në tubimet e ardhshme.

“Për ata që nuk janë në shesh, mesazhi është i qartë: Ejani në protestë”, përfundoi protestuesi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb