Është mbyllur  në “Selman Stërmasi” me rezultatin 3-1 sfida mes Partizanit dhe Flamurtarit, një fitore që të kuqtë i çon në kuotën e 49 pikëve, 10 më shumë sesa Teuta e vendit të dytë dhe në pritje të Kukësit, që përballjen e tij do ta zhvillojë sot me Kamzën.

Fillimisht kanë shënuar të zotët e shtëpisë ku kanë realizuar golin e epërsisë në minutën 11-të me anë të sulmuesit Jurgen Bardhi. Ka qenë një lëvizje mjaft e mirë e Asanit në krahun e djathtë, që ka harkuar një top në qendër, aty ku Bardhi i është vjedhur mbrojtjes mike dhe ka shtyrë në rrjetë topin perfekt të Asanit.

Ndërkohë Flamurtari nuk është dorëzuar dhe ka tronditur Partizanin, teksa ka barazuar me anë të Ribajt në minutën e 39-të, por ky ndryshim rezultati dhe festa e Ribajt me të tijtë ka irrituar një disa tifozë që gjendeshin pranë tyre, që janë futur në fushë dhe kanë goditur fotografin e Flamurtarit. Kaosi ka vijuar disa minuta me tifozët e kuq dukshëm të irrituar mezi janë qetësuar dhe janë frenuar nga tifozë të tjerë të Partizanit që nuk kanë lejuar situatën të agravonte edhe më shumë. Kjo festë e Ribajt i ka kushtuar kartonin e kuq atij, ndërsa ndeshja ka rifilluar pas rreth 6 minutash.

Në pjesën e dytë situata është mëse e normalizuar në tribuna, teksa forcat e rendit kanë shoqëruar në komisariat dhe një nga tifozat problematikë. Partizani hidhet i gjithi në sulm dhe Gega bën ndërrimet fituese, duke hedhur Mensah dhe Hebajn. Goli do të vijë vetëm në minutën 67-të, kur i sapofuturi në fushë, Rubin Hebaj, do të përfitojë nga gabimi i Koliçit për ta çuar topin në rrjetë dhe për të kthyer të kuqtë në epërsi. Por Hebaj është shumë i karikuar, teksa gjen dhe golin e dytë brenda pak minutash. Minuta e 71-të dhe Asani harkon nga e djathta në shtyllën e dytë, aty ku shkodrani me kokë nuk fal. Deri në fund, Partizani shpërdoron dhe raste të tjera shënimi, por çdo të mbyllet me shifrat 3-1, me të kuqtë që marrin frymë pas një ndeshjeje që u shfaq shumë më e vështirë sesa parashikimet.

Formacioni

Në këtë përballje, Skënder Gega ka vendosur t’i besojë nga minuta e parë Dilaver Dukës, ndërsa trajneri Ilir Daja, ka rreshtuar më të mirët e mundshëm, pas largimeve të shumta që ka pasur në ekip.

Partizani: Hoxha, Ibrahimi, Belica, Rexhepi, Trashi, Atanda, Telushi, Duka, Asani, Mala, Bardhi.
Trajner: Skënder Gega

Flamurtari: Koliçi, Liçaj, Pollozhani, Veliu, Kotobelli, Batha, Mustafa, Rrapaj, Musta, Kale, Ribaj.
Trajner: Ilir Daja

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb