Nga: ORNELA MANJANI*
TIRANE –Ish-pronarët që kanë aplikuar për kthimin dhe kompensim pronë në Agjencinë Trajtimit të Pronave dhe nuk janë njohur ende me vendimin e agjencisë mund të kërkojnë informacion në lidhje me fazën në të cilën ndodhet dosja. Agjencia ka vënë në dispozicionin të pronarëve Formularin Tip, “Informacion në lidhje me ecurinë e dosjes”, i cili duhet të plotësohet dhe të dorëzohet në agjenci për të njohur me fazën në cilën ndodhet shqyrtimi i saj. Agjencia Trajtimit të Pronave është e detyruar që brenda 10 ditëve nga momenti i dorëzimit të kërkesës t’i kthejë përgjigje pronarit në lidhje me ecurinë e dosjes. Në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave janë në shqyrtim 26 mijë dosje, nga të cilat 15 mijë janë trajtuar me ligjin e vjetër dhe 11 mijë presin të shqyrtohen me ligjin e ri. Pronat që nuk kanë marrë kompensimin dhe nuk janë në dijeni në lidhje me ecurinë dosjes mund të informohen përmes aplikimit në ATP, duke plotësuar Formularin Tip për ecurinë e dosjes. Ndërkohë, rreth 4000 dosje të viteve 1993-1994 kanë marrë një vlerësim ekonomik dhe më pas do të procedohet edhe me pagesat.

Aplikimi
Për t’u njohur me ecurinë e dosjes, subjekti duhet të plotësojë dhe të paraqesë dorazi ose me postë pranë ATP-së, dokumentacionin: kërkesën përkatëse me shkrim për informim në lidhje me ecurinë e dosjes, fotokopje të kartës së identitetit, dëshmi trashëgimie dhe prokurë të posaçme. Në faqen zyrtare të ATP-së mësohet se subjekti plotëson kërkesën me shkrim për informim në lidhje me ecurinë e dosjes pranë Zyrës së Marrëdhënieve me Publikun, në agjenci. Më pas kërkesa i kalon zyrës së protokollit, e cila pasi e protokollon, i dërgon të gjitha kërkesat e ardhura Drejtorinë e Përgjithshme. Kreu i ATP-së ia delegon kërkesat sektorit përkatës për ndjekje dhe zbatim. Më pas, sektori përkatës përgatit informacionin e kërkuar dhe njofton subjektin. Në përfundim të shqyrtimit, subjekti paraqitet pranë zyrave të ATP për të tërhequr shkresën e kthimit të përgjigjes në lidhje me ecurinë e dosjes, ose i dërgohet me postë, sipas kërkesës. Aplikimi për kërkesën për informim mbi dosjen nuk ka kosto.

Formulari
Formulari i aplikimit për formacion në lidhje me ecurinë e dosjes është i ndarë në tri seksione. Aplikanti duhet të plotësojë gjeneralitetet dhe adresën dhe jetë i pajisur me mjet identifikimi në momentin e aplikimit. Në seksionin e dytë duhet të jetë përshkruar në mënyrë të saktë se në lidhje me çfarë e kërkon informacionin pala e interesuar, në këtë rast pronari që ka aplikuar për kthim e kompensim prone. Dhe në seksionin e fundit janë të specifikuara pesë dokumentet që duhet të disponojë pronari në momentin e aplikimit.

Dosjet
Në Agjencinë e Trajtimit të Pronave ndodhen për shqyrtim 26 mijë dosje, të cilat presin të shqyrtohen dhe të merret një vendim për kthimin e kompensim brenda tri viteve të ardhshme. Dosjet që nuk kanë një vendim deri në momentin e ndryshimit të ligjit do të trajtohen me ligjin e ri. Sipas këtij ligji, për të gjitha kërkesat, të cilat janë në shqyrtim në AKKP, në ditën e hyrjes në fuqi të tij, si edhe mbi të gjitha ato kërkesa, të cilat do të paraqiten brenda afateve të këtij ligji, sa i takon njohjes së të drejtës së pronës do të jenë pjesë e skemës së re të kompensimit të pronave. Gjithashtu, ligji i shtrin efektet sa i takon vlerësimit financiar, për: ekzekutimin e të gjitha vendimeve, të cilat nuk janë zbatuar; për njohjen e së drejtës së kompensimit, të dhëna nga organet administrative ose gjyqësore në vendin tonë.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: