“Lufta” me flakët e zjarreve në masivet pyjore nuk bëhet vetëm për të mbrojtur jetën e qytetarëve, banesat dhe pasuritë e tyre, por edhe për të shpëtuar faunën e egër dhe habitatet natyrore që kërcënohen nga zjarret.
Një dëshmi e veçantë vjen nga zona e Shmilit në Elbasan, ku efektivë të Forcave të Armatosura kanë fotografuar një arushë të murrme së bashku me këlyshin e saj, teksa përgatiteshin për ndërhyrjen në operacionin e shuarjes së zjarreve në këtë zonë.
Pamjet janë një tjetër dëshmi e situatës së vështirë që po përballen zonat pyjore, ku flakët dhe tymi nuk rrezikojnë vetëm bimësinë, por edhe gjallesat që e kanë këtë territor habitatin e tyre.
E trembur nga zjarri, arusha me këlyshin e saj është fotografuar në një moment tejet të veçantë, duke treguar se pasojat e zjarreve shtrihen shumë përtej sipërfaqeve të djegura.

Masivet pyjore të Elbasanit përbëjnë një habitat të rëndësishëm për shumë specie të faunës së egër. Për këtë arsye, ndërhyrja e forcave zjarrfikëse, Forcave të Armatosura dhe strukturave të tjera në terren ka rëndësi jo vetëm për izolimin dhe shuarjen e vatrave, por edhe për mbrojtjen e biodiversitetit.
Prania e arushës dhe këlyshit të saj mes zonave të përfshira nga zjarri sjell në vëmendje një tjetër dimension të emergjencës: shpëtimin e kafshëve të egra, të cilat shpesh mbeten viktima të padukshme të flakëve.
