Një familje ukrainase ka rrëfyer përvojën e saj gjatë më shumë se tre viteve nën pushtimin rus në qytetin Oleshky, në rajonin e Khersonit. Serhii Samarsky, bashkëshortja e tij Olha dhe djali i tyre Vladyslav mbetën të bllokuar në qytetin e pushtuar që prej vitit 2022, duke u përballur me frikën, mungesën e ushqimit dhe kushtet ekstreme të jetesës.

Në një rrëfim për The Kyiv Independent, familja tregon se ushtarët rusë hynë në pallatin ku jetonin dhe përdorën ndërtesën për të lëshuar dronë. Në një prej episodeve më të rënda, Serhii dhe Olha u ndaluan nga forcat ruse dhe u mbajtën për tri ditë në një bodrum, ku u morën në pyetje.

Sipas Olhës, edhe dalja për të blerë ushqime ishte kthyer në një rrezik të përditshëm. Ajo tregon se ushtarët rusë, veçanërisht kur ishin të dehur, mund të bëheshin agresivë edhe për një fjalë në gjuhën ukrainase apo për veshjen e ngjyrave blu dhe të verdha, simbol i flamurit të Ukrainës.

Kushtet e jetesës u përkeqësuan edhe më shumë gjatë dimrit. Familja mbeti pa energji elektrike dhe ngrohje, ndërsa për të përballuar të ftohtin flinin të veshur me nga tri xhaketa.

Furnizimet me ushqime në qytet ishin ndërprerë pothuajse plotësisht. Për të mbijetuar, ata u mbështetën te kungulleshkat që kultivonin vetë, drithërat dhe ushqimet e konservuara. Në disa raste, familja fshihte edhe shkrime në gjuhën ukrainase në pakot ushqimore që dërgoheshin me dronë ushtarakë ukrainas.

Më 31 tetor, familja arriti më në fund të largohej nga Oleshky përmes një operacioni humanitar evakuimi drejt territorit të kontrolluar nga Ukraina.

Ata u detyruan të linin pas pothuajse gjithçka që kishin ndërtuar gjatë jetës së tyre. Secili mundi të merrte vetëm nga një çantë, ndërsa me vete morën edhe dy macet e familjes. Djali, Vladyslav, arriti të ruante në telefon fotografitë e albumeve familjare.

Pas mbërritjes në Kiev, Olha e përshkroi ndjesinë e rikthimit në një qytet të lirë si diçka thuajse të pabesueshme.

“Jemi të lirë. Po ecnim nëpër Kiev, duke menduar: këtu ka makina, njerëz dhe dritat janë ndezur në shtëpi. Është e pabesueshme”, kujtoi ajo.

Në shtëpinë që lanë pas në Oleshky, familja kishte fshehur një flamur ukrainas tre metra të gjatë. Ai mbeti në qytetin e pushtuar, ndërsa familjarët shpresojnë që një ditë të mund të kthehen dhe ta gjejnë sërish shtëpinë e tyre.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb