Presidenti i Francës, Emmanuel Macron ka ndar shqetësimin mbi përdorimin e rrjeteve sociale nën 15 vjeç. Në një deklaratë në rrjetet sociale dhe në një video të publikuar nga BFM-TV, Macron paralajmëroi se Franca po shkon drejt ndalimit të mediave sociale për fëmijët nën këtë moshë. Sipas Macron, koha mesatare që një adoleshent kalon para ekranit arrin në 4 orë e 20 minuta në ditë, një shifër që ai e cilësoi si “të çmendur”, duke theksuar se në shumicën e rasteve përmbajtja nuk mbikëqyret nga prindërit.
“Ne nuk mund t’ua delegojmë vetëm prindërve këtë përgjegjësi- dhe shpesh edhe presionin për të vendosur nëse në moshën 12-vjeçare, është ide e mirë apo e keqe t’ia dorëzosh praktikisht trurin platformave,” pohoi ai. Presidenti francez e cilësoi kufizimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 15 vjeç si një masë thelbësore për mbrojtjen e tyre, duke theksuar se bëhet fjalë jo vetëm për edukim, por për shëndetin mendor dhe emocional të brezave të rinj.
Në këtë kuadër, Macron bëri të ditur se i ka kërkuar qeverisë së tij të përdorë një procedurë të përshpejtuar legjislative, me synimin që projektligji të miratohet nga Parlamenti dhe Senati deri në fillim të vitit të ardhshëm shkollor, në shtator. “Truri i fëmijëve dhe adoleshentëve tanë nuk është në shitje. Emocionet e tyre nuk janë në shitje dhe as për t’u manipuluar – as nga platformat amerikane, as nga algoritmet kineze,” u shpreh ai. Autoritetet duan që masat të hyjnë në fuqi në fillim të vitit shkollor 2026 për llogaritë e reja. Franca do të ishte vendi i dytë që do të vendoste një ndalim të tillë, pasi Australia kohët e fundit ndaloi mediat sociale për ata nën 16 vjeç.
