Kur jemi pak ditë nga starti zyrtar i merkatos verore, Interi i Christian Chivut ka nisur menjëherë nga puna për përforcimin e skuadrës, teksa për momentin sipas mediave italiane, dy janë dëshirat kryesore të klubit zikaltër: Marca Plaestra dhe Manu Kone. Për tu përfshirë në këto tratativa Inter do duhet të shesë fillimisht, për të arkëtuar dhe emri i parë që pritet të sakrifikohet do të jetë ai i mesfushorit Davide Frattesi. E ardhmja e italianit duket gjithnjë e më larg Interit. Pas dy sezonesh me ulje-ngritje në Milano, mesfushori është gati të mbyllë aventurën zikaltër për të kërkuar më shumë hapësira dhe një rol protagonist në një skuadër tjetër.
Me 122 paraqitje, 15 gola dhe një palmares që përfshin dy tituj kampionë, Kupën e Italisë dhe Superkupën Italiane, Frattesi pritet të largohet pas një sezoni të vështirë, ku minutat në fushë kanë qenë të pakta fillimisht nën drejtimin e Simone Inzaghi dhe më pas edhe me trajnerin e ri Cristian Chivu.
Interi, që e bleu në vitin 2023 për rreth 33 milionë euro, tashmë po mendon ta përdorë kartonin e tij si armë strategjike në merkato. Dy janë pistat më të nxehta: Atalanta dhe Roma.
Në Bergamo, zikaltërit synojnë talentin Marco Palestra, ndërsa ardhja e mundshme e Maurizio Sarri te Atalanta mund t’i hapë rrugën transferimit të Frattesit, një lojtar që tekniku italian e ka vlerësuar prej kohësh. Për më tepër, klubi bergamask duhet të zëvendësojë largimin e Ederson drejt Manchester United.
Por pista më e fortë mbetet Roma. Objektivi kryesor i Interit është Manu Koné, mesfushori francez që ka shpërthyer me verdhekuqtë dhe që sot vlerësohet rreth 50 milionë euro. Duke qenë nën presionin e Fair Play Financiar, Roma mund të pranojë një marrëveshje ku Frattesi do të përfshihej si pjesë e operacionit për të ulur kostot ekonomike.
