Pas situatës së tensionuar që ndodhi sot në selinë e Frymës së Re Demokratike, ku punonjës të policisë bashkiake i kërkuan drejtuesve të saj që të lironin zyrat, këta të fundit vijojnë të jenë sërish në këto ambiente. Gazetarja Dorjana Bezat raporton për ‘BalkanWeb’ se kreu i FRD-së, Sali Shehu qëndron në zyrën e tij, ndonëse që prej ditës së djeshme aty është ndërprerë energjia elektrike.

Ai bashkë me anëtarë të kësaj partie kanë vendosur që të qëndrojnë në seli, ndërsa për ndiçimi kanë zgjedhur qirinjtë. Sipas Bezat, anëtarët e FRD-së kanë vendosur që të qëndrojnë në këto zyra, gjatë gjithë natës, deri në tërheqjen e letrës që ka ardhur nga Bashkia e Tiranës, ku kërkohet lirimi i ambienteve.

Ndërkohë që mësohet se disa punonjës të policisë bashkiake janë paraqitur pranë këtyre zyrave, ku kërkuan që përfaqësuesit e kësaj partie të firmosin një akt konstatimi, gjë që nuk u pranua nga ata.

Po ashtu, i pranishëm për t’i mbështetur, është edhe nënkrytari i LSI-së, Petrit Vasili. Kujtojmë se ditën e sotme, presidenti Ilir Meta, ishte në zyrat e FRD-së, ku pati debate të ashpra me policët bashkiakë.


(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: