TIRANË – Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, gjatë një konference për mediat, duke folur për çështjen Beleri, deklaroi se ai u rrëmbye në mënyrë mafioze nga policia e Edi Ramës. Meta theksoi se çështja Beleri tregon se në Shqipëri nuk ka demokraci dhe se drejtësia është e kapur nga Rama.

“Çështja Beleri është problem thelbësor dhe skandaloz i vetë mungesës së demokracisë në Shqipëri, është treguesi më flagrant i kapjes së shtetit, i përdorimit kriminal të shtetit nga kryeministri. Kryeministri ka kapur policinë, prorkurorinë, gjykatat, përdorimi i dëshmitarëve të rremë dhe bllokimi i betimit të tij është antikushtetues. Fredi Beleri u rrëmbye në mënyrë mafioze nga policia e Edi Ramës. Ai fitoi zgjedhjet dhe duhet të ishte kryebashkiak i Himarës. Për shkak të këtyre padrejtësive, çështja ka marrë jehonë më të madhe. Kryeministri Rama ka kapur për fyti drejtësinë.

Sa i përket çështjes së dënimit ose jo të gjyqtares Irena Gjoka, unë nuk dua të komentoj shumë mediat e huaja. Autoritetet tona kanë thënë se ndaj gjyqtares nuk ka akuzë, por kjo nuk do të thotë se duhet të besojmë autoritetet e shtetit tonë, që janë të kapura. Nuk është hera e parë që ndodh që funksionarë të lartë të maxhorancës apo të shtetit të kenë probleme me drejtësinë. Kemi rastin e kryebashkiakut të Kuçovës, Kreshnik Hajdari, që edhe pse doli se ishte dënuar, sërish është aty, sepse ka interesa Edi Rama. Ndërsa, akuzat ndaj Berishës janë të fabrikuara totalisht nga një vend i kapur, që synon shkatërrimin e pluralizmit. Është kjo qeveri, që ka lënë pensionistët në mëshirë të fatit”, deklaroi Meta.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: