Hyjmë në supermarketin pranë Ambasadës Amerikane. Tavani është i rëndë, ndërsa në dysheme të zë syri enë dhe legenë që shërbejnë për të mbledhur pikat e ujit që vijnë nga sipër. Mund të mendosh lehtësisht se gjithçka ka ndodhur nga shirat e ditëve të fundit, por arsyeja është komike dhe serioze. Në zyrat e FSHF-së janë harruar çezmat hapur dhe uji ka depërtuar deri në katin përdhes, ku zhvillojnë aktivitetin e tyre biznese të ndryshme.
Përmbytja
Ditën e djeshme, disa biznese që gjenden në pallatin përballë Ambasadës Amerikanë në Tiranë kanë parë dëme në tavanet e tyre dhe në sipërfaqen e mureve. Kjo, për shkak të një sasie të madhe uji që ka rrjedhur. Arsyeja? Me gjithë intensitetin e lartë të shirave në 48 orët e fundit, reshjet nuk janë shkaku i dëmeve të shkaktuara.
Në Federatën Shqiptare të Futbollit që gjendet në katin e tretë (nisur nga kati përdhes ku gjenden bizneset) janë harruar çezme të hapura dhe uji, qoftë edhe për shkak të degradimit të kanalizimeve, ka rrjedhur në tavanet e këtyre dyqaneve. Kova e legenë të shumtë gjendeshin në këto biznese, të cilat përdoreshin për të mbledhur ujin që rridhte pa pushim nga tavani.
Dëmet
Në njërin prej dyqaneve, tavani është dëmtuar rëndë për shkak të lagështirës së madhe. Uji ka depërtuar dhe ka prishur suvanë. Ndërkohë, në një tjetër nga bizneset që gjendet aty, një pikë bastesh, në njërën prej faqeve të murit janë djegur tre televizorë të mëdhenj dhe dy më të vegjël, vlera e të cilëve përllogaritet në rreth dy mijë euro. Përveçse është lagur e gjithë sipërfaqja e murit dhe është prishur suvaja e tij dhe e tavanit, uji ka dëmtuar edhe televizorët që përdoren në atë sallë bastesh. Gazeta “Panorama Sport” është interesuar dhe ka mësuar se punonjës të FSHF-së kanë marrë përsipër edhe dëmet e shkaktuara nga ky incident. (Panorama Sport)