TIRANË

Akademiku Artan Fuga është përpjekur të shpjegojë sot në studion e emisionit “A show” në News24 atë që po ndodh në vend dhe reagimet e shoqërisë shqiptare. Ai iu përgjigj pohues pyetjes nëse ka menduar se në vend ka një elitë të përçudnuar.

Për Fugën, me hapjen e vendi, elementët e modernitetit janë zbehur dhe janë ruajtur disa elementë patriarkalë.

“Para së gjithash jam pedagog dhe si i tillë detyra numër një është jo të bëj mësimin në auditor, por analizën asaj që ndodh në formimin e elitave intelektuale. Jam nga ata të cilët them se ka një kontradiktë të madhe në shoqërinë shqiptare. Rrafshi i parë është që ekonomikisht kemi një shoqëri shërbimesh paraindustriale. Në tezat e mia prej 20 vitesh mbroj këtë ide që në momentin e hapjes na ka ndodhur një gjë që elementët e modernitetit janë zbehur dhe janë ruajtur disa elementë patriarkalë, tradicionalë.
Ajo që mbizotëron tek ne janë këto lloj ekonomish. Kemi një shoqëri që kërkon të demokratizohet dhe kërkon që qytetari të gjykojë për të gjitha çështjet. Na duhet një qytetar i mirëedukuar”, deklaroi Fuga.

I pyetur për qëndrimin e tij kundër pushtetit, Fuga tha se nuk është vetëm pushteti në vend, duke folur për marrëdhënien e tij me shtresa të tjera të shoqërisë.
“Nuk e besoj se jam një mendje kundër, kam një solaritet me shtresat e shoqërisë. Nuk është vetëm pushteti në Shqipëri. Unë shikoj masën e njerëzve të thjeshtë. Mua ndonjëherë nuk mund të shkoj të qethem me para sepse këta njerëz duan të ofrojnë një dashamirësi. Me studentët kam një ostmozë dhe e treta me intelektualët që kanë marrë një goditje të fortë”, tha Fuga.

Ai tha se sot elitat në vend heshtin dhe refuzojnë politikën. Për profesor Fugën, sistemi e ka nxjerrë intelektualin jashtë loje.
“Problemi është që kjo elitë sot në Shqipëri është e heshtur. Në Shqipëri ka mendje të mençura që janë të heshtura. Refuzon politikën. Është një sistem që intelektualin e ka nxjerrë jashtë loje. Çfarë bëjmë ne, mbyllemi brenda rretheve tona, nuk shprehemi në publik. Populli thotë ku janë intelektualët. Detyra e intelektualit nuk është të lërë punën e tij intelektuale dhe të shkojë për mitingje. Mund ta bëjë dhe këtë, jemi në një situatë të tillë”, tha Fuga.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb