E diela e 14 majit pritet të mbajë zgjedhjet më të rëndësishme të këtij viti, dhe jo, ato nuk do të mbahen në Shqipëri. Më 14 maj Turqia do të mbajë zgjedhjet e saj parlamentare dhe Presidenciale, më të rëndësishmet të këtij mijëvjeçari për shtetin turk, që vijnë në mënyrë simbolike edhe me 100 vjetorin e krijimit të Republikës. Në këtë lojë numrash nuk ka si të mungojë edhe ajo që mund të cilësohet si komponenti më kryesor që i bëjnë këto zgjedhje jashtë serie, 2 dekadat në pushtet të Erdogan. Por pikërisht në momentin kur lufta ndaj pushtetit të një njeriu të vetëm dukej si mirazh, etja për ndryshim në ecejaket e kësaj shkretëtire 20 vjeçare, ka sjellë më afër burimit të shpresës të gjithë ata që nuk bëjnë kompromis mes fuqizimit të shtetit, demokracisë dhe nevojës për të ndryshuar.

Si asnjëherë më parë në këto 20 vite, Erdogan nuk e ka parë veten më të rrezikuar përballë faktorit që ai e ka mbajtur gjithmonë të përçarë, opozitës. Megjithatë risia e këtyre zgjedhjeve nuk është thjesht dhe vetëm opozita, por mbi të gjitha një rritje e pakënaqësisë, sidomos tek rinia e vendit ndaj autoritarizmit dhe dështimit të rimëkëmbies ekonomike. Në zgjedhjet e vitit 2018, premtimi kryesor i Presidentit turk ishte kthimi i Turqisë në 10 ekonomitë kryesore të botës brenda vitit 2023. Viti 2023 erdhi, megjithatë ky premtim duket sikur është vite dritë larg. Kriza ekonomike përgjatë këtij mandati është thelluar dhe Lira turke ka gjetur stabilitet në vazhdimësinë e rënies së saj. Dhe sikur kaq të ishte mjaftueshëm, rritja e inflacionit dhe trendi i njëjtë i përqindjes së të papunëve ka vështirësuar frymëmarrjen me argumenta propagandistikë të njeriut që Turqinë e drejton prej 20 vitesh.

Sikur të gjitha këto të mos mjaftonin, tragjedia e tërmetit që goditi Turqinë rëndoi mjaftueshëm pozitën e Presidentit Erdogan. Në 2002, AKP (Partia e Erdogan) vjen në pushtet pas tërmetit tragjik të vitit 1999, ku humbën jetën mbi 17,000 njerëz. Tragjedia e këtij viti mund të cilësohet si këmbana e epilogut të asaj që nisi dhe po mbaron po nga tërmete me mijëra viktima. Kur qeveris prej 2 dekadash, gishti i akuzës nuk ka drejtim tjetër për të marrë.. ose në rastin më të keq, duhet prerë.

Megjithatë realiteti duhet thënë ashtu siç është! Turqia e vitit 2003, kur Erdogan hipi në fronin e saj me ambicien e një veziri dhe me veshjen e një republikani, ka ndryshuar në mënyrë galoponte me atë të ditëve të sotme, jo thjesht në zhvillimin e brendshëm, por mbi të gjitha në arenën ndërkombëtare. Roli ndërmjetësues në luftën në Ukrainë dhe loja e dyfishtë midis perëndimit dhe Rusisë, është goli i fundit i shënuar nga ai që nuk e realizoi dot plotësisht ëndrrën e tij të rinisë – futbollin – por që drejton Turqinë për kaq shumë kohë. Fitore të tilla në diplomaci e kanë faktorizuar kaq shumë Erdoganin, aq sa është vështirë i mendueshëm, përtej retorikave pragmatiste, se si do të jetë Turqia e të nesërmes pa të.

Kjo për shkak se marrëdhëniet e Turqisë me vendet e tjera, janë akoma dhe më të afërta aty ku gjenden simbioza të filozofisë së njeriut politik Erdogan. Megjithatë, pavarësisht sondazheve, artikujve dhe retorikës së acaruar jo pa shkak të kësaj fushate, humbja e mundshme e këtyre zgjedhjeve duket si një ëndërr nga ku opozita vështirë ta besojë edhe pse më në fund është zgjuar.

Referendumi i vitit 2017, i cili do të garantonte qëndrimin në pushtet deri në vitin 2029 të Presidentit turk, tashmë e rrezikon më shumë se çdo gjë. Kjo pasi referendumi që opozita dje e kundërshtonte më forcë, sot atë e ka lënë me të vetmen alternativë për të dalë e bashkuar përballë vezirit që për pak u bë sulltan. Sidoqoftë, në tentativën e tij të fundit, për të shmangur atë që duket sikur është e pashmangshme, vetëm 5 ditë para zgjedhjeve, Erdogan njoftoi rritje me 45% të pagës për 700.000 punonjës publikë. Të paktën për t’i dhënë këtyre zgjedhjeve dhe një akt të dytë, atë të balotazhit.

Megjithatë duket sikur fundi i tij është vetëm 24 orë larg. Vështirë të kuptohet nëse këto zgjedhje do të fitohen nga Kılıçdaroglu, apo do të humben nga Erdogan, por nëse diçka e tillë do të ndodhë, atëherë fituesi për herë të parë nuk do të jetë një emër i përveçëm, por do të jetë përgjigja se si lufta ndaj pushtetit të një njeriu të vetëm fitohet atëherë kur nuk pritet.

Dhe megjithatë, a është ky fundi i një autokrati?

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb