Nga sot futbolli shqiptar do të jetë zyrtarisht nën ‘syrin’ e VAR. Sistemi teknologjik më i ri në futboll do të jetë prezent në Superkupën e sotme Teuta-Vllaznia dhe më tej në 180 ndeshje të Kategorisë Superiore dhe në fazat çerekfinale, gjysmëfinale e finale të Kupës së Shqipërisë.

FSHF informon se prej disa javësh ka testuar dhe implementuar VAR-in në ndeshje miqësore e trajnime.

Tashmë golat dhe penalltitë në Shqipëri nuk do të gjykohen më komentatorët dhe nga studiot televizive, por direkt ‘live’ nga arbitri dhe VAR.

NJOFTIMI NGA FSHF

Futbolli shqiptar nis sot zyrtarisht sezoni e ri me finalen e Superkupës së Shqipërisë midis Teutës dhe Vllaznisë, që luhet në stadiumin “Elbasan Arena” në orën 19:00. Në këtë ndeshje do të përdoret për herë të parë në Shqipëri edhe sistemi VAR (Video Assistent Referee), që është edhe risia e investimi më i madh i Federatës Shqiptare të Futbollit në edicionin e ri të futbollit.

Plot 180 ndeshje të Kategorisë Superiore 2021/2022 do të luhen me sistemin VAR, ndërkohë që ky sistem do të përdoret edhe në Kupën e Shqipërisë duke filluar që nga faza çerekfinale e deri në finalen e madhe.

Prej disa javësh FSHF ka organizuar procesin e implementimit të video-asistentit të arbitrit përmes testimeve në disa ndeshje miqësore dhe trajnimet e fundit për të filluar aplikimin e tij nga sot.

Procesi ka qenë i ndarë në tre faza, ku janë zhvilluar seminarët teorikë me arbitrat ku u prezantuan me teknologjinë, u dhanë informacionet mbi mënyrat e përdorimit të aparaturave për të gjithë stafin teknik dhe atë të arbitrave. Seminaret janë udhëhequr nga Aleksandër Papin, përfaqësues i kompanisë EVS dhe Mike Van Der Roest, udhëheqës i projektit VAR në FIFA.

Gjithashtu, janë kryer trajnimet në fushë, me ndeshje të vërteta dhe në stadium ku transmetimit televiziv i bashkëngjitet edhe Sistemi VAR, në të cilat arbitrat veprojnë si në ndeshje të vërteta, ku në rast vendimesh të dyshimta komunikojnë me VAR dhe kërkojnë ndërhyrjen e tij. Video-asistenti synon të minimizojë në maksimum gabimet njerëzore të arbitrave dhe implementimi i këtij sistemi do të ndikojë ndjeshëm për të pasur vendime sa më të drejta në fushën e lojës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb