Një blogere iraniane 33-vjeçare është dënuar me vdekje nga një gjykatë revolucionare në Bandar Abbas, pasi u akuzua për “korrupsion në tokë”, fyerje të liderit suprem të Iranit dhe veprimtari kundër sigurisë kombëtare.

Marzieh “Sevda” Ebrahimi Shamsabadi, e cila ndodhet në burg që prej arrestimit të saj në fillim të këtij viti, u dënua nga Dega e Tretë e Gjykatës Revolucionare në Bandar Abbas. Sipas të dhënave të publikuara nga organizata e të drejtave të njeriut HRANA dhe raportimeve të Iran International, ndaj saj janë ngritur disa akuza, mes tyre komunikim dhe propagandë kundër sigurisë kombëtare, si dhe bashkëpunim i pretenduar me “qeveri armiqësore”. Para arrestimit, Ebrahimi Shamsabadi kishte publikuar në Instagram një mesazh që do të rezultonte të ishte postimi i saj i fundit. Në një sfond të zi, të shoqëruar me imazhin e një pëllumbi të bardhë dhe një trëndafili të kuq, ajo shkruante: “Nëse një ditë largohem nga kjo botë, dijeni vetëm një gjë – zgjodha rrugën në të cilën besoja.”.

Blogerja, e cila kishte rreth 10 mijë ndjekës në Instagram, dyshohet se ishte arrestuar në muajin mars. Sipas raportimeve, ajo u mbajt për rreth 20 ditë në izolim dhe iu nënshtrua presionit gjatë marrjes në pyetje. Një prej akuzave lidhet me një fotografi që ajo dyshohet se kishte realizuar nga distanca në një zonë të goditur nga një raketë. Autoritetet iraniane pretendojnë se ajo ia kishte dërguar fotografinë një mediaje në gjuhën persiane me seli jashtë Iranit. Përveç dënimit me vdekje, gjykata e ka dënuar gjithashtu me disa vite burgim, ndërsa ka urdhëruar konfiskimin e pasurisë së saj dhe ndalimin e saj nga ushtrimi i disa shërbimeve shtetërore dhe publike. Avokati i Ebrahimi Shamsabadit është informuar për vendimin e dënimit me vdekje më 23 gusht.

Sipas raportimeve, ajo ka lindur në Arak, është rritur në Teheran dhe më pas është vendosur në Bandar Abbas. Gjithashtu, është raportuar se ajo vuante prej rreth gjashtë vitesh nga skleroza e shumëfishtë. Një burim i njohur me gjendjen e saj shëndetësore i tha HRANA-s se situata e saj është përkeqësuar gjatë qëndrimit në burg, duke ngritur shqetësime për gjendjen e saj fizike dhe trajtimin që ka marrë gjatë paraburgimit.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: