Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Fatbardh Kadilli, ka zhvilluar sot një takim me ambasadoren e SHBA në Tiranë, Yuri Kim.

Kadilli thekson se ka ndarë me ambasadoren Kim mendimin se PD është aset i pazëvendësueshëm dhe se, në fillesat e saj është dora e pamohueshme amerikane.

Më tej, kandidati në garën e PD deklaron se gjatë takimit është nënvizuar edhe fakti se Uashingtoni dhe Shqipëria, nën udhëheqjen e PD kanë punuar bashkë dhe bërë shumë gjëra të mira.

“Sot pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të gjatë dhe të frytshëm me Ambasadoren e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zonjën Yuri Kim. Biseda u përqëndrua te zhvillimet politike në PD dhe në vend. Jam i lumtur që shpreha në takimin me të dërguarën e vendit më demokratik në botë, dhe aleatit strategjik të Shqipërisë, një zë të protestës kundër mënyrës si shkojnë gjërat në Shqipëri por edhe në partinë time, siç edhe shpalosa Manifestin Politik, jo vetëm për demokratët, por edhe shoqërinë. Me zonjën Kim ndamë mendimin se Partia Demokratike është aset i pazëvendësueshëm dhe se, në fillesat e saj është dora e pamohueshme amerikane.

Gjithashtu në takim nënvizuam faktin e pamohueshëm se Uashingtoni dhe Shqipëria, nën udhëheqjen e PD kanë punuar bashkë dhe bërë shumë gjëra të mira. Për gjërat e mira, për të ardhmen, por edhe ruajtjen e traditës dhe mësimeve të saj, ishte biseda sot. Si kandidat për kryetar i PD dhe si demokrat nuk mund të mos i shpreh mirënjohjen Ambasdores Kim dhe vendit të saj te i cili shohim jo vetëm partneritetin dhe miqësinë, por edhe misionin e përbashkët për një botë më të mirë dhe të ardhme më të sigurt. Zoti e bekoftë Shqipërinë! God bless United State of America!”, shprehet Kadilli.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb