Belind Këlliçi është besim plotë se në mungesë të drejtësisë, do të jenë shqiptarët ata që përmes votës do të ndëshkojnë Kryeministrin Edi Rama.

Belind Këlliçi thotë për gazetën “Panorama” se rasti i lidhjeve të Kryeministrit me ish-agjentin e FBI-së, McGonigal, është vetëm në fillimet e zbardhjes, të cilin e quan një skandal të jashtëzakonshëm si produkt i pandëshkueshmërisë. Belind Këlliçi shprehet se klika në pushtet turpëroi vendin, ndërkohë që u bën thirrje qytetarëve që ta përmbysin përmes votës së 14 majit. Edhe vizita së fundi e z. Këlliçi në SHBA ishte në funksion të sfidave të opozitës dhe nevojën që ka demokracia e brishtë shqiptare për një opozitë efikase që të kërkojë llogari e të vërë para përgjegjësisë qeverinë abuzive të kryesuar nga Edi Rama.

Z. Këlliçi, ju jeni tashmë kandidati për Bashkinë e Tiranës, me çfarë platforme keni për të garuar, cilat mendon se do jenë tematikat ku mendoni se do përqendrohet fushata?

Platformën time kam për ta shpalosur pasi të kemi përfunduar turin e dëgjimit me segmentet e ndryshme të komunitetit të Tiranës dhe pasi të jem konsultuar me ekspertët më në zë të fushave të ndryshme që prekin qeverisjen vendore. Por unë mund t’ju them se modeli im do të jetë krejt ndryshe nga përvojat e deritanishme të kryebashkiakëve të Tiranës që e kanë parë këtë post si trampolinë kalimtare për t’u bërë kryeministra e për t’u marrë me politikë kombëtare apo ndërkombëtare pa i kushtuar vëmendjen e duhur detyrave që përmban ky pozicion i nderuar.

Pushteti vendor është përgjegjës për një sërë shërbimesh jetike për njerëzit dhe bizneset brenda bashkisë së Tiranës. Për këtë arsye mendoj se një kryetar i përgjegjshëm i bashkisë duhet të harxhojë buxhetin e mbledhur nga taksapaguesit për të zgjidhur probleme të përditshme si trafiku, parkimi, gjelbërimi, transporti publik e jo ta harxhojë për të lobuar e bërë shpenzime qejfi e shfaqje sikurse qenë ato të kryeqytetit evropian të rinisë. Çfarë kuptimi ka ky titull kur ne jemi vendi me hemorragjinë më të madhe në Evropë të rinisë dhe ende nuk kemi furnizim të rregullt me ujë të pijshëm në kryeqytetin e vendit?

Kemi vënë re se kandidaturën tuaj e keni nisur duke ndërmarrë një tur të dëgjimit. Në çfarë konsiston ky tur i dëgjimit dhe çfarë prisni të nxirrni prej tij?

Unë kam filluar turin e dëgjimit, sepse dua të mësoj e kuptoj drejtpërdrejt nga qytetarët se si mund ta ndryshojmë për më mirë Tiranën. Zëri i qytetarëve për një kohë të gjatë është neglizhuar ose injoruar, sepse qeveritarët aktualë, më shumë kanë folur sesa kanë dëgjuar. Zakonisht, kur vjen puna për të dëgjuar, pushtetarët dëgjojnë vetëm njeri-tjetrin ose zërin e bizneseve të mëdha me të cilat janë në ortakëri.

Mirëpo, zgjedhjet vendore bëhen për interesin e qytetarëve dhe unë nëpërmjet këtij turi dua të kuptoj se si pushteti vendor mund të funksionojë më mirë për ta. Pra të gjithë politikanët e përgjegjshëm duhet të jenë të gatshëm të dëgjojnë zgjedhësit e tyre në mënyrë që t’i përfaqësojnë ata në mënyrë efektive. Unë besoj se vetëm duke dëgjuar paraprakisht shqetësimet, nevojat, dëshirat apo propozimet qytetarëve, do mund të kemi një model të ri alternativ qeverisje, që ndryshe nga modelet e deritanishme, pasqyron siç duhet opinionin publik dhe përmbush kërkesat specifike të qytetarëve të Tiranës.

Vëmendja për zgjedhjet e ardhshme vendore është lënë disi në hije për shkak të skandalit “McGonigal”. Si e konsideroni këtë aferë ku është i përfshirë edhe Kryeministri Edi Rama?

Unë pres me padurim fillimin e procesit, i cili do t’i zbardhë të gjitha detajet e këtij skandali të jashtëzakonshëm, mirëpo më duhet të them se ky është produkt i pandëshkueshmërisë, pasi nuk është skandali i parë me Edi Ramën dhe ligjin amerikan. Kujtoj këtu që në vitin 2012, ai dërgoi ilegalisht 80,000 dollarë për fushatën e rizgjedhjes së ish-Presidentit Barak Obama në këmbim të një fotografie me të duke shkelur ligjin amerikan që ndalon shtetasit e huaj të japin kontribute në fushatat presidenciale.

Dy bashkëpunëtorët e tij në atë aferë u dënuan në Shtetet e Bashkuara të Amerikës mirëpo Edi Ramës nuk i hyri gjemb në këmbë për shkak të drejtësisë së kapur shqiptare. Mosndëshkimi i atëhershëm e ka inkurajuar të futet edhe më thellë në veprime më të rënda korruptive dhe ilegale sikurse është rasti McGonigal. Meqenëse drejtësia nuk po i jep ndëshkimin që meriton së paku vota duhet ta ndëshkojë. Prandaj zgjedhjet lokale që po afrohen, përbëjnë një mundësi të madhe për qytetarët që ta ndëshkojnë keq-qeverisjen dhe korrupsionin e deritanishëm. Vetëm nëpërmjet votës mund të shpaguhen skandalet e rënda dhe të pengohet që klika aktuale të poshtërojë më tutje vendin me afera të tjera korruptive të këtij lloji.

Ju sapo jeni kthyer nga një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, cili ishte qëllimi i vizitës tuaj atje, a ka të bëjë edhe me këtë çështje…?

Qëllimi kryesor ka qenë realizimi i disa takimeve në Kongres për të biseduar me përfaqësues të legjislativit amerikan lidhur me zhvillimet e fundit në Shqipëri dhe problemet e mëdha të korrupsionit e kriminalitetit me të cilat përballet vendi ynë. Po ashtu, diskutuam me partnerë të ndryshëm amerikanë lidhur me sfidat që po përball opozita jonë dhe nevojën që ka demokracia e brishtë shqiptare për një opozitë efikase që të kërkojë llogari e vërë para përgjegjësisë një qeveri abuzive si kjo që kemi.

Jam takuar gjithashtu edhe me përfaqësues të diasporës, me të cilët në kuadër të turit tim të dëgjimit bisedova për nevojat e shumta që ka bashkia e Tiranës. Po ashtu, jam konsultuar me ekspertë, profesionistë, akademikë, sipërmarrës të suksesshëm të diasporës për të marrë prej tyre ide e sugjerime se si të zgjidhen problemet me të cilat përballet Tirana. Kur takon aq shumë të rinj të realizuar të diasporës mbushesh me optimizëm.

Shqipëria faktikisht ka shumë burime cilësore njerëzore në diasporë që kanë kapacitete për ta ndryshuar realitetin tonë nëse ekziston vullneti politik i vendim-marrësve që t’i përfshijë ata dhe t’ua jap atyre mundësinë që të kontribuojnë në atdhe. Gjithashtu privilegj ka qenë pjesëmarrja në Mëngjesin e Lutjeve, një takim i cili bëri bashkë personalitete nga mbi 90 shtete të ndryshme të botës dhe i cili u përshëndet nga disa personalitete botërore, përfshi këtu dhe Presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me siguri me personalitetet që keni takuar në SHBA, keni biseduar andej edhe për çështjen McGonigal. Çfarë reagimi morët prej tyre, cila është përshtypja që kanë pasur për këtë aferë?

Ashtu si unë, edhe miqtë amerikanë që kam takuar, janë të shokuar dhe e kanë të vështirë ta besojnë faktin që kryeministri i një vendi të NATO-s si Shqipëria, e cila e konsideron SHBA-në si aleatin kryesor strategjik, ka përdorur mjete të paligjshme për të korruptuar zyrtarë të nivelit të lartë të kundërzbulimit dhe për të përdorur FBI-në si një agjenci private për të dëmtuar opozitën e vendit dhe për të përmbushur interesat personale. Edhe ata e konsiderojnë si një thikë pas shpine që ngul lideri i një vendit partner.

Madje ajo që është tronditëse është fakti që institucionet e shtetit amerikan, në vend që të përdoren si model për të frymëzuar demokratizimin e Shqipërisë, u instrumentalizuan për të kundërtën. Pra institucionet amerikane nëpërmjet korrupsionit u përdorën për ta shkatërruar këtë demokraci shqiptare duke marrë peng opozitën e vendit. Jam i bindur se kjo çështje është vetëm në fillimet e saj të zbardhjes. Sepse gjyqi ende s’ka filluar dhe për më tepër figurat më të njohura të gazetarisë investigative amerikane, dhe mediat kryesore duke përfshi këtu “New York Times” po merren vazhdimisht me këtë skandal kaq të rëndë.

Pasi u shpallët fitues i primareve brenda Partisë Demokratike, ka zëra që hedhin hije dyshimi për shkollimin tuaj të ciklit të mesëm dhe kredencialet tuaja akademike. A mund të kemi një koment tuajin për këtë çështje?

Unë kam kryer 4 vite studimi të ciklit 5-vjeçar në Shkollën “Harry Fultz”, në drejtimin “Biznes” gjatë viteve 2001-2005. Gjatë këtyre viteve jam vlerësuar me një notë mesatare 9.7. Në përfundim të klasës së 12- të, (viti i 4-t), aplikova për studime të mëtejshme në SHBA, si shumë bashkëstudentë të mi në Shkollën “Harry Fultz” që në ato vite kanë vazhduar studimet universitare në vende të ndryshme të Evropës dhe SHBA, sikurse dhe unë, pas klasës së 12, duke theksuar se asnjëherë nuk kam pretenduar apo deklaruar ndryshe.

Një nga ato universitete ku unë aplikova ishte “Coppin State University”, në shtetin e Maryland, një universitet shtetëror 4-vjeçar, i akredituar nga shteti i Maryland dhe Departamenti i Edukimit të SHBA-së dhe një nga 11 universitetet shtetërore që janë nën mbikëqyrjen dhe kontrollin e Sistemit Universitar të shtetit të Maryland. “Coppin State University”, pasi unë aplikova, bëri vlerësimin individual të treguesve të mëposhtëm: Rezultatet vjetore te 4 (katër) viteve; kurrikulën shkollore; pikët në testimin SAT; testin e pranimit; intervistë individuale. Pas rezultateve, Departamenti i Pranimeve në këtë universitet vendosi pranimin tim në “Coppin State University”, duke më ofruar një bursë akademike që mbulonte shpenzimet e studimit dhe librat. Gjithashtu, bazuar në rekordin tim të performancës në tenis, faktin që isha kampion kombëtar i moshave U-18 dhe ndeshjet prove, përfitova një bursë atletike që mbulonte shpenzimet për konviktin dhe ushqimin gjatë 4 viteve të studimeve tek ky universitet.

Pasi pranova me shumë mirënjohje ofertat e bursave dhe të drejtën e studimit në “Coppin State University”, unë ndoqa studimet aty në mënyrë të pandërprerë për 7 semestra, ku plotësova 123 nga 120 kreditet e kërkuara nga legjislacioni dhe rregulloret përkatëse, për të marrë diplomën “Bachelor of Science” në “Management Science”. Për këtë arritje dhe diplomim të përshpejtuar, u bëra pjesë zyrtare dhe u vlerësova me medalje si student i programit “Honors Accelerated Program Graduate”.

Këtë diplomë, ndryshe nga kandidati përballë meje, studimet e të cilit ngelen po aq fantazmë sa vetë inceneratori i Tiranës, unë e kam paraqitur zyrtarisht pranë Ministrisë së Arsimit të vendit tonë dhe në vitin 2010, Ministria e Arsimit ka vendosur: njohjen e diplomës, lëshuar nga Universiteti “Coppin State” në SHBA, si “Master i Shkencave” në Shkencat e Menaxhimit. Dua të shpreh sot mirënjohjen time për këtë Universitet, Sistemin Universitar të Maryland, SHBA-në dhe gjithë ata njerëz të mrekullueshëm në atë vend që më mbështeten dhe besuan tek unë që ditën e parë që unë shpreha interes, duke ua shpërblyer besimin e dhënë e duke u diplomuar me titullin “Summa Cum Laude”, me një mesatare (GPA) të përgjithshme (3.95 nga 4.0), rezultat i cili ishte me i larti në të gjithë Universitetin. Për këtë arritje mu akordua titulli “Student with the Highest GPA at Graduation”. Gjithashtu, si njohje e performancës sime, mu ofrua dhe pranova të drejtën e anëtarësimit në Shoqërinë “Sigma Beta Delta, Honors Society in Business and Administration”, një organizatë e cila fton pranë saj vetëm ata studentë që mbarojnë studimet universitare në SHBA me rezultate të shkëlqyera.

Falënderoj sot të gjithë ata që u shqetësuan për edukimin tim, që më dhanë këtë mundësi të informoj publikun e gjerë për studimet e mia dhe mirënjohjen e thellë që unë kam për shtetin Amerikan, një shtet ku merita nuk i mohohet askujt që ka dëshirë të studiojë dhe të jetë një individi që kontribuon për shoqërinë. Rishpreh gjithashtu kënaqësinë, që të ftoj publikisht pengmarrësin e Tiranës, në një sfidë të hapur në secilin televizion që ai dëshiron, që të ballafaqojmë së bashku dhe të bëjmë transparencë përpara qytetarëve shqiptare, për kredencialet tona përkatëse të studimeve, shoqëruar me transkriptet zyrtare të notave.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb