Gazetari gjerman i “Bild” Peter Tiede, personi që publikoi përgjimet për zgjedhjet në Dibër, denoncon sërish qeverinë.

Në një postim në “Facebook”, ai del në mbështetje të gazetares Desada Metaj, për të cilën thotë se është akuzuar për thirrjen e protestave dhe organizimin e tyre duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se kërcënon shtypin e lirë. Madje ai thotë se kjo gjë i ka ndodhur dhe atij personalisht.

“E pabesueshme se çfarë po ndodh përsëri në Shqipëri: Sot policia hyri në banesën e gazetares Desada Metaj. Prej ditësh ka pasur protesta për vrasjen e një 25-vjeçari nga oficeri i policisë. U qëllua nga prapa sepse ai shkeli urdhrat e COVID dhe doli nga shtëpia pas bllokimit…
Tani kolegia e njohur shqiptare që komentoi ngjarjet është akuzuar për thirrjen e protestave dhe organizimin e tyre.
Ky është një rast i ri i paaftësisë dhe kërcënimeve ndaj shtypit të lirë nga administrata e Edi Ramës, duke intimiduar dhe paditur rregullisht gazetarët. Të dyja më kanë ndodhur personalisht. Por kolegët në vend po kalojnë më shumë vështirësi”, deklaron Tiede.

Peter Tiede Fb
Peter Tiede Fb

Gazetarja Desada Metaj ka denoncuar se Policia e Shtetit i ka kërkuar që të paraqitet në Komisariat, si organizatore e protestave për vrasjen e Klodian Rashës.
Ajo shkruantese nuk ka gisht në organizimin e tubimeve dhe se e vetmja gjë që ka bërë është komentimi i ngjarjeve të fundit në rrjetet e saj sociale.
“Sot rreth orës 14.00, Edison Visha, i plotfuqishmi i lagjes time (pranë presidencës) ka mbërritur pranë banesës së prindërve të mi dhe u ka kërkuar që të paraqitem pranë komisariatit nr 2 sepse do më pysnin lidhur me thirrjet për protestë të paligjshme. Meqë nuk kam qenë në shtëpi në atë orë, ka lënë një numër telefoni me të cilin kontaktova sapo prindërit më njoftuan. Nga ana tjetër e telefonit m’u përgjigj shefi i krimeve të rajonit nr 2 Ledio Lushka që më kërkoi të shkoja në komisariat. Sipas tij duhej të më pyeste për diçka që s’mund ta bënte në telefon. Meqë unë besoj ende se shteti funksionon me letra dhe jo me FB, i kërkova të më dërgonte një ftesë zyrtare për t’u paraqitur në komisariat. Gjatë këtyre ditëve thjesht kam komentuar ngjarjet në FB tim personal dhe më vjen mirë që veç drurit, forcat Shqiponja dhe disa segmente të policisë paskan patur dhe mendje dhe kohë për të më ndjekur. Për çdo rast ky provokim qesharak në dhimbje as më tremb dhe as më ligështon. Madje as familjen time që thjesht tallen me këtë akt qesharak. Personalisht më dhimbsen këta mercenarë të pushtetit se ç’janë në gjendje të bëjnë për ti treguar shef Ardit se janë të zellshëm. P.s. Për fat të keq nuk kam qenë në asnjë proteste të ditëve të fundit. Por vazhdoj të mbështes çdo formë proteste kundër regjimeve policore,”-shkruan Metaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb