Gazetari i RAI-t, Leonardo Zellino ka bërë një reportazh të shkurtër në Shqipëri në lidhje me situatën e kultivimit të kanabisit.

Gazetari italian ndalet në rrugë dhe pyet një banor nëse ka kanabis në zonë, por ai i thotë që jo me një italishte të çalët. “I sigurt 100% që nuk ka”, i thotë banori. Por gazetari ndryshe konfirmon që ka kanabis dhe jo më larg se 30 km nga kryeqyteti Tirana.

Ai tregon se droga nga Lazarati është spostuar në malet e Krujës. “Zbresim nga makinat dhe na bllokon një bari i rremë që ndryshon qëndrim sapo sheh kamerat. Kuptojmë se po na ruajnë”, rrëfen gazetari. “Ju kanë parë atje dhe më lajmëruan, shiko se janë me kamera”, thotë bariu i rremë. Ndërsa vijon: “Ka snajpera dhe të qëllojnë”.

Më pas gazetarët vijojnë rrugën pasi bariu flet në telefon me një person tjetër, i cili i lejon të shkojnë në arat me kanabis të tijat të shkatërruara nga policia. Një guidë i tregon rrugën për në vendin ku është kanabisi por pa kamera. Filmimi bëhet me celular.

“Më shumë se një orë rrugë, – thotë gazetari- ka marijuanë por nuk mund të ndalemi sepse personi që na udhëheq është autorizuar vetëm që të na çojë në plantacionin e tij”.

Kur shkojnë gazetarët shohin kanabisin e shkatërruar dhe gjithë infrastrukturën për vaditjen e bimëve. Pronari i kanabisit thotë se ia kanë shkatërruar policë të ardhur nga Tirana jo ata që i njeh mirë.

“Kjo – thotë pronari duke mbajtur një bimë kanabis të tharë në dorë- kushton 100 euro. 60 për mua dhe 40 për policinë”.

Menjëherë pas kësaj, gazetarët italianë kanë futur deklaratën e Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri i cili thotë: Unë do ju pyes, nëse ju në Itali do të gjenit një plantacion me 180 mijë bimë, çfarë do të thotë, që polici aty është i korruptuar?! Ministri Tahiri i referohet një megaoperacioni që u zhvillua në Foggia në fund të shtatorit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb