Gazetarja dhe shkrimtarja Arlinda Canaj ka ndërruar jetë papritur ditën e sotme. Lajmi fillimisht u bë ditur nga e bija e saj në faqen e Facebook.

Edhe faqja në të cilën Arlinda punonte, Konica.al ka konfirmuar lajmin e dhimbshëm të ndarjes nga jeta të gazetares.

“Arlinda Canaj, gazetarja kryesore e Konica.al ka vdekur sot papritmas! Jeta shpesh nuk është gjë tjetër veçse një shaka tragjike. Një gazetare themeluese e Konica.al, një nga gazetaret kulturore më të rëndësishme të vendit, Arlinda, kolegia jonë ka humbur jetën sot papritmas.

Në mëdyshjen për të mos spekuluar me vdekjen e saj dhe dëshirës që njerzit e saj të dashur të kenë më shumë solidaritet, ne zgjodhëm të dytën! Çfarë dhimbje të shkruash këto fjalë për një jetë të re! Për një nënë! Për një kolege të përkushtuar dhe elitare që deshi ta përçmonte jetën e zakonshme!” shkruan Konica.al

NJOFTIMI I POLICISE
Më datë 24.08.2017, rreth orës 17:10, në numrin e emergjencave 112, ka ardhur një njoftim për një shtetase të rënë nga lartësia, në rrugën “Kongresi i Manastirit”. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr 4 dhe ambulanca, të cilët kanë konstatuar shtetasen A. R., 46 vjeçe, e cila kishte rënë nga kati i katërt i pallatit ku banonte dhe është dërguar në S.Q.U., në gjendje të rëndë për jetën.

Rreth orës 19:30, mjekët e S.Q.U.-tës, lajmërojnë se shtetasja A. R., ka gjetur vdekjen si pasojë e goditjes së marrë nga rënia nga lartësia. Nga hetimet e kryera është mësuar se kjo shtetase merrte mjekim prej gjashtë vjetësh, pasi vuante nga depresioni dhe dyshohet të jetë vetëhedhur nga ballkoni i banesës së saj. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
 (e.f/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb