TIRANE– Gazetarja Klodiana Lala ka rrëfyer momentin si ka kontaktuar me Alket Hatijan, njeriun që cilësohet nga mediat italiane si “Zot i drogës”. Në emisionin “Kjo javë” të moderatores Nisida Tufa në “News24”, gazetarja Klodiana Lala tregon momente nga intervista dhe shqetësimin që i shprehur Alket Hatija nga vendi ku qëndron i fshehur.

“Nuk e kontaktova unë Alket Hatijan, por ai mua. Disa të afërm të tij më thanë se Alket Hatija do të flasë dhe të rrëfejë versionin e tij. Kjo ka ndodhur dhjetë ditë më parë. Pas 4 ditësh jam nisur me grupin e xhirimit, në autostradën Tiranë-Durrës jemi ndaluar, kemi fikur celularët, çdo gjë kemi lënë në makinë, dhe jemi larguar me një automjet tjetër. Nuk dinim vendin ku do të xhirohej. Kemi bërë jo pak rrugë.

Kemi shkuar në një apartament të mobiluar mirë. Alket Hatiaj na priste në korridor. Dhe pyetja e parë që na bëri ishte: “Jeni të trembur”? Pastaj më tha: “Jam i lodhur nga drejtësia shqiptare”.

Në një moment u bë një zhurmë, dhe ne ndërpremë intervistën. Por kur vumë re si gjithçka ishte normale, rifilluam intervistën.

Ai thotë se është dënuar nga drejtësia dhe e ka kryer dënimin, dhe tashmë kërkon të jetojë i qetë.
Shqetësim i vetëm që ngriti ishte fakti që dy vajzat e tij janë të mitura dhe po e përjetojnë keq këtë gjë. Më tha “Kur u arrestova në 2008 vajzat ishin të vogla dhe nuk e kuptonin, por tani e kuptojnë. Çdo gjë e kam bërë me paramendim, jam dënuar për këtë. Por tashmë jam i lodhur me këtë që po ndodh”.
Sakaq, ai mohon të ketë një vilë me bunker”, u shpreh gazetarja Klodiana Lala.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: