Trajneri i Partizanit, Skënder Gega, i ftuar në studion e Rubrika Sportive, foli për “demat” e tij, dhe për eksperiencën pas tetë javësh të luajtura, ku mban kryesimin e kampionatit.

E kishit menduar se do ishit në krye?

Nuk e dija se çfarë jave do isha në krye, por duke punuar çdo ditë, duke parë edhe ekipet e tjera, besimi erdhi duke u rrit. Ndoshta mund të mos ishim në vend të parë, por do isha i sigurt që do bënim një performancë të mirë këto ndeshje.

Tani që jeni i qetë, sa e vështirë ishte të fitoje sot?

Vetëm 2 orë jam i qetë(qesh). Elbasanin nuk e kishim si transfertë, edhe pse në kalendar quhej ashtu. Ai orar na ndryshoi regjimin, ushqimin, u stërvitëm në vapë. Ndeshja ishte e vështirë, u munduam të përgatiteshim sa më mirë, por shumë prej lojtarëve kanë shumë minuta. Pjesën e dytë, pati një rënie fizike. Trashi ka qenë me serume, deri dy ditë para. Një ditë e gjysmë nuk është ushqyer. Shpirti i tij i madh, e kompensoi këtë gjë. 90 minuta nuk patëm një ritëm. Kishim pak presion në fillim, por më pas e mbajtëm më lart kundërshtarin. Gjithsesi, jam i kënaqur, pasi lojtarët janë të rinj. Rezultati 1-0 të mban në presion. Sot nuk funksionuan ndërrimet, të jem i sinqertë. Hebaj dhe Çinari janë të rinj, por duhet ta shtynin ekipin më tepër.

Kardozo?

Ai ka ardhur nga Brazili, jo me terapi siç e pritnim ne, por po punon shumë fort për tu rikthyer. Do jetë shumë shpejt pjesë e grupit.

Si i motivoni lojtarët e stolit?

Ne jemi shqiptarë, jemi emocional. Të gjithë e duam vendin e parë në autobus(qesh). Qëllimi kryesor është të shkojmë mirë. Fusha është ballafaqimi më i mirë. Kam qenë i hapur dhe i drejtpërdrejt me të gjithë.

Çfarë po i thoshit Mensah?

Ne sportistat prekemi edhe ne, pasi njerëz jemi. Mensah më tha që të më japësh më shumë kohë, dhe është krejt pozitive. Unë jam aty për të gjithë ekipin. Më quani prind, apo edukator. Kam përgjegjësi mbi shpatulla. Për sa kohë jep maksimumin, unë e lë nga 70 minuta, deri te 90 apo 120 minuta. Për sa kohë edhe të tjerët stërviten si ai, e meritojnë të gjithë shansin.

Familja?

Gruaja merret direkt me sportin, është bërë edhe menaxherja ime tani, shkon e vjen në Amerikë. Jam bërë dy herë gjysh. Por, kështu është jeta, fëmijët janë të sistemuar në Amerikë. Janë në merak, sepse duan që të më shkojnë punët mirë këtu. Nuk jam shpëtimtar i askujt. Të paktën deri tani, i kemi filluar gjërat mirë. I kemi vënë gjërat në vijë, kemi biseduar me presidentin dhe drejtuesit. Në fakt, nuk më kanë njohur në fillim, edhe pse kam qenë trajner i 21-vjeçarëve. Por, tani të gjithë po vendosim nga një tullë, dhe shpresojmë të bëjmë një kala.

Gjithmonë ka probleme me listat e lojtarëve në Kombëtare…

Trajneri duhet ta bëjë gjithmonë listën. Nëse vë standartin, nëse nuk luan nuk vjen, është mirë. Por nëse e ndryshon këtë standart, dhe nuk sillesh me të gjithë njësoj, krijohen probleme. Grupi duhet menaxhuar për aq kohë sa e ke, e të mos ndryshosh mendimin nga java në javë. Ka lojtarë që nuk kanë luajtur dhe janë marrë në Kombëtare. Është e drejta, por edhe përgjegjësia e tij. Ka lojtarë që kur kanë ikur nga Superiorja, janë thirrur menjëherë. Nga Partizani, kanë dalë emra për Kombëtare. Ka disa “kokrra” që mund ta meritojnë Kombëtaren. Trashi për shembull, ka kualitete, për tu provuar, duhet t’i jepet shansi. Kanë ardhur lojtarë, që tani, nuk dua t’i fyej, por nuk dihet se ku janë./Panoramasport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb