Nga Genc Burimi

Ndoshta për publikun e gjerë emri i saj s’do të thotë shumë, por në sferën e gazetarisë Sidorela Gjoni ka impresionuar me intervistën që i bëri sot Edi Ramës. Është e vështirë ta sjellësh bishën e plagosur në një intervistë “kokë më kokë” në kulmin e shpërthimit të llavës së vullkanit popullor. Por është një rekord për gazetaren të dalë nga një e intervistë e tillë po aq e freskët dhe ballëlart siç e filloi, pa plagë dhe njolla blu në fytyrë megjithë çehren, shputat dhe gjuhën e frikshme të një Kryeministri, me noçkën e xhindosur e të ngjitur pas ekranit si në një ndeshje catch. Asistuam në një leskion gazetarie që duhet treguar nëpër shkolla, si nga forma e zhvillimit të intervistës ashtu dhe nga inteligjenca e pyetjeve që e bënë Ramën të dalë nga binarët. Në aspektin e formës, Sidorela ishte shembulli i gazetarisë që duhet të ruajë nervat dhe dinjitetin edhe kur ke përballë një të intervistuar mashkull, maço, dhe me pushtet si ai i Kryeministrit. Është një ushtrim delikat që kërkon vetëpërmbajtje ekstreme kur politikani sulmon dhe ofendon gazetarin jo vetëm për pyetjet që bën, por edhe si person ad hominem. Ka gazetarë që e kalojnë këtë moment të vështirë me takt, me idenë se duke e anashkaluar sulmin apo duke e qetësuar të ftuarin me fjalë që i bëjnë qejfin, të kenë mundësinë ta përfundojnë intervistën. Një skenar të tillë e pamë me gazetaren amerikanë të NBC News përballë Trump në një fermë të Wisconsin-it. Ajo s’fitoi asgjë. U ofendua, iu lut, por prapë ai iku.

Pjesë nga një dialog surrealist
Merita e veçantë e gazetares shqiptare përballë Ramës i cili kish keqtrajtuar tashmë dy ditë më parë gazetarë femra nga vende të BE-së, ishte se Sidorela Gjoni jo vetëm që u mbrojt me nerva krejtësisht të qeta dhe buzëqeshje, por ruajti dhe momentin t’i ngulte me gjakftohtësi shtizën Ramës si teoradori një demi të xhindosur:

Rama: Ti ngre në hava budadallëqe! Eshtë skandaloze kjo që bën me shqiptarët të cilët kanë dalë me qellime të mira në proteste por janë tani me ndjenja të lënduara nga këto budadallëqe që ti përsërit.
Sidorela Gjoni: Zoti Kryeministër, budadallaku im siç e quani ju, nuk i sjell asnje dëm shqiptarëve. Budadallëku i vërtetë është të tallesh me hallet dhe shqetësimet e shqiptarëve dhe jo pyetjet e mija zoti Kryeministër, sepse për një gazetar nuk është faj të bësh pyetje…
Edi Rama: Po qe kështu po largohem por duhet t’i kërkosh ndjesë publikut për pyetjet.
Sidorela Gjoni: Unë s’kam pse kërkoj ndjesë. Unë s’i kam rënë asnjëherë në qafë popullit shqiptar me asnjë vendim timin, dhe s’kam si, sepse s’kam punuar asnjë ditë të jetës time në shtet. S’kam deri bërë asnjë gabim që të kërkoj ndjesë.
Edi Rama: Shih, ti s’paske bërë asnjë gabim.
Sidorela Gjoni: Asnjë! Por ndjesë popullit shqiptar duhet t’i kërkojë dikush që ka 13 – 14 vite në pushtet dhe i thotë njerëzve që më duhet dhe pak kohë që të keni ujë e drita 24h. Ju lutem mos ta hapim këtë temë, as dhe atë temën tjetër që në vend që t’i jepni përgjigje protestuesve merreni me blogerët. Nëse doni, ejani flasim për të gjitha këto, por në asnjë mënyrë unë gazetare t’u kërkoj ndjesë njerëzve sepse edhe njëherë nuk kam bërë asgjë në kurriz të popullit shqiptar (si disa të tjerë).

Përmbajtja po aq e goditur sa forma e rezistencës
Përtej kësaj copëze intervistë si etalon i sulmeve veresie të Kryeministrit dhe rezistencës pa kompromis të gazetares, vlen të nënvizohet përmbajtja profesionale e bashkëbisedimit. Gazetarja e kishte përgatitur me mjeshtëri për ta orientuar Kryeministrin në dy tema të veçanta ku ai vetë do të fundosej kokë dhe këmbë deri sa në fund të humbiste toruan me largimin nga intervista.
Strëkëmbëshin e parë Sidorela ia vuri Ramës tek tema që ai e trumbeton me forcë, sipas të cilës, nuk ka asnjë projekt për Zvërnecin. Rama me kapadaillëk i njëjti si me gazetarët europianë, e ripërsërit si me rrokje se nuk ka asnjë projekt mbi tavolinë. Me buzëqeshje gazetarja shfaq në ekran një dokument që mban firmën e Ramës të datës 28 janar 2025 ku shkruhet: Pika 39. Leje Ndërtimi për objektin: “Resort turistik në Gadishullin e Zvërnecit”, Blloku Rezidencial F1V2, F1V3, F1R6 me vendndodhje në Pishë Poro-Nartë, Bashkia Vlorë, me subjekt zhvillues shoqërinë “Zvërnec South Adriatic Development” sh.p.k.

Dhe gazetarja që e pyet: mund të na shpjegoni se, a jepet një leje ndërtimi pa patur një projekt?

Kryeminstrit një fytyrë i vinte një i ikte, sepse një dokument të tillë me firmën e tij vetë, po e zbulonte live. Dhe bën një koment të parë katastrofik: “Po ngatërroni zonjë dynjanë, me këto letra dokumenta që hidhen e priten”.

Gazetarja: Po nga administrata juaj e morëm!
Edi Rama: Duhet të pyesim agjencinë përkatëse se shpesh herë ndodhin dhe aty ngatërresa. Ma ço pak. Nuk di çfarë të them do interesohem konkretisht. Por leje ndërtimi dhe projekt s’ka, këtë di të them.
Gazetarja (me ironi): Nëse është ngatërresë e institucionit që ka nxjerrë këtë shkresë s’ka problem ju e sqaruat.
Edi Rama (fillon humb nervat): Jo nuk është ngatërresë e institucionit në fjalë, është vetëm ngatëresë e juaja.
Gazetarja: Si kështu? Sapo ju thashë që e kemi marrë nga institucionet e juaja.
Edi Rama: Më nxirr lejen e ndërtimit. Pse ngatërron publikun. Më nxjerr një dokument që s’është leje. Ke temë tjetër?

Veçse Sidorela po e mbante ngrohtë dhe temën e dytë që do ta nxehte edhe më shumë Ramën sepse kurthi ishte edhe më i madh akoma.

Pyetja e dytë ishte fare e thjeshtë. Si e konsideron Rama videon e Ivanka Trump që ka bërë xhiron e botës me tallje, sepse ajo aty thote: isha me not, pashë Sazanin, thashë ta marr dhe e mora. Pyetje a ka të drejtë Ivanka? Dhe në këtë rast a mund të na shpjegojë Kryeministri si u jepka kaq kollaj një ishull mjafton të kalosh me not atje? Apo, është thjesht një budadallëk nga ana e Ivanka Trump?

Me këtë pyetje, Rama ishte i dënuar të ngatërrohej, sepse asnjërit opsion s’mund t’i përgjigjej. As opsionit që ishullin e ka dhënë ai vetë kuturu, as opsionin që Ivanka ja kishte futur kot.

Nga ai moment intervista i rrëshqiti nga duart. Rama duke mos patur me asnjë kontroll në ato që thoshte, përfundoi në braktisje të intervistës pasi sulmoi dhe personalisht gazetaren. Bravo Sidorela. Ajo ishte mishërimi i shpirtit të protestës, njerëz të paqëm, por të vendosur për të marrë përgjigje deri në fund, deri në marrjen e përgjegjësive nga përgjegjësit…

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb