Nga Genc Burimi

Në vend që të kërkonte falje e të përgjigjej për dëmet e pallogaritshme që po pëson vendi nga ata persona që vetë i emëron, kryeministri preferoi kakarisjen nga aeroporti, me leksione se si duhet të sillen drejtësia dhe mediat ndaj të pandehurve “made in Ramaland”.

Mos e dënoni mediatikisht Vlorën, thotë Rama, pa proces të rregullt gjyqësor, se shkelet parimi i shenjtë i prezumimit të pafajësisë.

Ky që vetë ka shpallur të fajshëm sa e sa kundërshtarë politikë e mediatikë para Tribunalit të opinionit publik, pa pritur jo e jo dënimin e formës së prerë, por dhe vetë hapjen e një procesi.

Dhe kësaj here huqi iu rikthye me galop. Nuk priti as pesë minuta pasi mori gjerë e gjatë në mbrojtje Vlorën nga qentë e mediave, kur ky kryeministër të vetëbehej prokuror dhe t’i shpallte sipas kutit të tij fajtorë për evazion fiskal televizionet që flasin kundër tij.

Kjo është të shohësh “news”-e dhe qime te “syri” i të tjerëve, pa parë trarët e korrupsionit që i kanë zënë shikimin dhe frymën mbarë Shqipërisë. Që ditën e parë të revolucionit kundër tij, Rama i shpalli protestuesit, me sigurinë e gjelit kakaritës që e karakterizon, si të shitur te Rusia apo Irani, pa pasur nevojë për hetimin e drejtësisë sepse, Ai, di gjithçka.

Por për Vlorën dhe bëmat e saja ulëritëse, njerëzia sipas kryeministrit duhet ta qepë sqepin derisa drejtësia t’i shkojë në fund, domethënë heshtje minimumi pesëvjeçare, sepse kështu e do kutia e Ramës.

Guxon jep leksione drejtësie ky Kryeministër nga maja e aeroportit, me cinizmin më të lartë, kur poshtë këmbëve të tij, te poltroni i kakarisjes, mbante të shkelura me të dyja atletet vendimet e drejtësisë më përfundimtare që njeh një vend, atë të Gjykatës Kushtetuese.

Te Rama, skena dhe prapaskena luheshin vertikalisht, shteti sipërfaqësor i së drejtës në mikrofon, përtokë ai i të padrejtës, si zhele, në të njëjtën gjendje që ka lënë gjithë vendin.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb