TIRANE – “Gëzuar ditëlindjen Rikard Ljarja!” Me këtë urim e ka nisur sot, kartolinën e saj publike drejtuar këtij artisti dhe gjithë atyre që e adhurojnë atë, Ministria e Kulturës’

Ljarja ka lindur më 1 prill 1943 në Shkodër dhe sot mbush 72 vjeç. Ministria e Kulturës, në urimin që përcjell, shkruan:

“Jetë të gjatë artistit që na përcjell edhe sot kaq shumë jetë dhe emocion përmes celuloidit dhe skenës. Artisti që nuk rresht së krijuari në prozë ngjarje, personazhe, fillesa skenarësh, pa harruar kurrë rrëfime dashurie për Shkodrën, vendlindjen e tij, që si shkruan në një shkrim ‘prej pak vitesh i janë afruar kaq shumë pëllumbat dhe ky është një sinjal i fortë, qetësije dhe paqeje’.

Me lojën, portretin, zërin dhe talentin, figura e aktorit Rikard Ljarja u popullarizua kaq shumë në vitet ‘70-‘80, sa konsiderohej si një ndër aktorët më të dashur dhe më të rëndësishëm.

Nga viti 1965 deri më 1973, Ljarja ka interpretuar në rreth 30 role në Teatrin “Migjeni” të Shkodrës, ku pjesa më e madhe ishin role kryesore. Në atë kohë televizioni ishte në hapat e parë dhe brezat e rinj nuk e mbajnë mend si aktor teatri, ku ai vërtet ka shkëlqyer në interpretimet e tij.

Shumëkush e kujton si Deda mbi shtyllë në “Rrugët të bardha”, por rolet e tij, me të cilët identifikohet janë edhe shumë e shumë të tjerë. Komisari te “Kur zbardhi një ditë”, mësuesi Dritan Shkaba te “Komisari i dritës”, Rrema në “Shtigje lufte”, Skënder Guri te “Duel i heshtur”, Perlat Pëllumbi në “Ngadhënjim mbi vdekjen”, Gaqo tipografi në “Rrugicat që kërkonin diell”, inxhinier Tosi në “Ilegalët” e filma te tjere, “Radiostacioni”, “Pranverë e hidhur”, “Rrethi i kujtesës”, “Fletë të bardha”. Si regjisor ka realizuar filmat “Pesha e kohës”, “Kur hapen dyert e jetës”, “Skëterrë 43”, “Radiostacioni” etj. Si regjisor, filmi më i arrirë i tij është “Kur hapen dyert e jetës”, i cili u realizua në vitin 1986, ku ishte edhe autor i skenarit. Ky film u nderua me çmimin “Aleksandër Moisiu”.

Pas viteve ’90 është tërhequr tek shkrimi si dramaturg dhe shkrimtar. Kujtojme rolin e Gjonit ne shfaqjen “Shën Gjon Kryepremi, me tekst dhe regji nga Stefan Çapaliku.

(ar.sh/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: