Rikard Ljarja u shfaq në gjithë përmasën e tij intelektuale si aktor, regjisor, instrumentist, piktor dhe shkrimtar në një dokumentar nga Mevlan Shanaj. Po aq, Rikardi si bir, bashkëshort dhe baba u rrëfye nga familjarët. Marjeta Ljarja kujtoi ditët më të bukura të jetës dhe frikën që e bëri të donte ndahej prej tij kur ishte 22 vjeçe.

‘Mua më është dukur copa e jetës më e bukur me Rikardin, përrallë, pak të thuash përrallë. Thosha, Marjetë, çfarë bëre, isha 22 vjeçe. Dhe u tremba Mevlan. I dhurova Rikardit librin “Tregime të zgjedhura të Kadaresë, ku i kam lënë një shënim: “Ka qenë një ëndërr shumë e bukur, por do doja të përfundonte këtu dhe të mbetemi miq të mirë. Nuk e përballoj dot më tutje”. Por, ai vendimi i menjëhershëm i Rikardit, që më kapi dorën dhe nuk ma lëshoi më kurrë, do të thotë se ai gjeti diçka te unë, që nuk e kishte gjetur.

Nga fëmijëria në një familje intelektuale te vitet e pjekurisë mes ekranit e skenës, përmasa e tij si artist u rrëfye nga bashkëpunëtorët.
ROZA ANGANOSTI, aktore ka rrëfyer eksperiencën e saj me Ljaran.
‘Kemi punuar bashkë shumë mirë. Ishte një kimi artistike them dhe ai ishte kaq i lirë dhe i natyrshëm, pa poza. Dhimitri (Anganosti) thoshte se ai është europian.

ZEF ÇOBA: Kjo fletëpalosje, tregon se Rikard Ljarja në moshën 17-vjeçare luante në orkestrën simfonike të qytetit i ulur në pultin e fagotistit.

Portreti i një intelektuali që shkëlqeu gjatë regjimit komunist, por nuk e harroi kurrë peshën e shtypjes dhe përmasën e lirisë, del në pah në raportin që ruan me të vërtetën, mbi artin dhe pushtetin, pasi ka numëruar rrathët e censurës.

‘Kinemaja jonë ka qenë e drejtpërdrejtë. Sigurisht, ideologjia ka qenë e tillë. Ka pas edhe një tension psikologjik të tmerrshëm, se “çfarë do thonë”, sepse ne kemi qenë të gjithë, të gjithë në shërbim të asaj ideologjie, pavarësisht sa i kanë rrëshqitur’, thoshte Rikard Ljarja.

Vizatime, piktura, fotografi, filma, muzike dhe libra. Trashëgimia e tij është ende mes nesh si dëshmi e talentit të një portreti unik. Ljarja u nda nga jeta në prill 2020, 77 vite pasi kish lindur.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: