Ish kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha se Tirana zyrtare duhet t’i vendosë kushte Serbisë të kërkojë falje dhe të pranojë krimet e kryera në Ballkan për tu integruar plotësisht.

Duke folur në Parlament gjatë diskutimit të projekt rezolutës për dënimin e gjenocidit serb në Srebrenicë, Basha tha se çdo qëndrim tjetër do të konsiderohej inkurajim që i bëhet Beogradit për fshehjen e krimeve në rajon.

Fjala e plotë:

1 vit më parë, teksa përkujtonim përvjetorin e masakrës së Srebenicës, në qëndrimin tim dhe në emër të Partisë Demokratike, kërkova që vendi ynë të kishte kurajon dhe pavarësinë për ta dënuar edhe përmes një rezolute parlamentare gjenocidin, si dhe kërkova angazhimin për prezantimin e një rezolute në kuvend për dënimin e gjenocidit serb në Kosovë…

Sot është koha te gjejmë forcën, guximin dhe pavarësinë për t’i vënë emrin masakrave të ndodhura në Ballkan për shkak të shovinizimit serb.

Megjithatë, kalimi i sotëm i kësaj rezolute, e bën edhe më të madhe barrën e përgjegjësisë mbi anëtarët e këtij kuvendi, për të sjellë sa më pare dhe miratuar në këtë sallë rezolutën për genocidin serb në Kosovë.

Me miratimin e kësaj rezolute sot, ne kemi përmbysur një orë me rërë, një numërim mbrapsht ka nisur, dhe mat kohën që do t’i duhet këtij kuvendi për të miratuar i lirë në zemër dhe ndërgjegje, rezolutën për genocidin serb në Kosovë, jo për të mbetur pengje të së shkuarës së dhimbshme, por për t’i hapur rrugën të ardhmes, që nuk mund të jetë e paqtë, as e begatë për rajonin pa u shëruar plagët e një lufte që shqiptarët nuk kanë nisur, por kanë pësuar.

Që Serbia të integrohet plotësisht në rajon, duhet ta kushtëzojmë me kërkesën e faljes, me pranimin e krimeve, prandaj që e shkuara të mos harrohet, e që të mos lejojmë që faktet alternative të kurdisura nga propaganda hileqare dhe mohuese, të ndryshojnë historinë sipas orekseve politike apo konjukturave ndërkombëtare të momentit, duhet t’i tregojmë njëzëri që rruga drejt së ardhmes është vetëm përmes pranimit të së shkuarës, pranimi i së vërtetës, distancimit të plotë dhe të prerë Milosheviçi dhe kërkesa e faljes nga autoritetet aktuale të republikës së Serbisë.

Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë e inkurajon kryenecësinë e drejtuesve të saj në përpjekje të hapura dhe të fshehura për rishikimin e shëmtuar e të dënueshëm që po shfaqin karshi krimeve të të kaluarës.

Çdo qëndrim tjetër ndaj Serbisë, është një amnisti e fshehtë ndaj një të shkuare që rrezikon të përsëritet nëse nuk pranohet dhe dënohet si e gabuar. Na takon ne të jemi sot zëri i viktimave të atij genocidi, të jemi edhe zëri i Kosovës.

Me këtë akt të sotëm,ndonëse të vonuar, ne nderojmë kujtimin e më shumë se 8,000 viktimave të pafajshme boshnjake të gjenocidit të Srebrenicës.

Sot jemi pranë familjareve dhe të mbijetuarve që humbën më të dashurit pa asnjë faj, në Srebrenicë por dhe ne Kosove.

Të mohosh gjenocid ne Bosnje dhe në Kosovë tregon se nuk je ndarë nga e kaluara, por i përket asaj, nuk kërkon bashkëjetesë por vazhdimin e konflikt të ngrirë, duke mbrojtur të shkuarën e përgjakshme, mbetesh peng i saj dhe nuk sheh dot drejt së ardhmes.

Vetëm duke u përballur plotësisht me të kaluarën, qytetarët e Rajonit tonë mund të arrijnë pajtime të vërteta, pajtime të qëndrueshme.

Sot ka përpjekje për t’i ikur të vërtetës, për të mbrojtur krimet duke fshehur edhe gjurmët, siç janë varret masive ku janë fshehur trupat e shqiptarëve të masakruar të Kosovës, mes tyre me mijëra fëmijë.

Shpesh viktima po shitet si agresor, siç fatkeqësisht po ndodh edhe me ish-komandatë të UCK në Hagë.

Pa u vendosur drejtësi, e ardhmja nuk do të jetë e lehtë. Prandaj krahas dënimit të genocidit në Srebrenice dhe Kosovë, ne duhet të kërkojmë drejtësi.

Kushdo që ka kryer krime lufte duhet të mbajnë përgjegjësi.

Sot edhe nën agresion Rus ne Ukrainë, bota demokratike duhet të angazhohet seriozisht dhe fort, për të mbyllur konfliktet e ngrira që herë pas here janë gati të ndizen dhe Shqipëria duhet të bëjë rolin e saj.

Sot është koha që së bashku me aleatët tanë euro-atlantikë të veprojmë shpejt me atë ndjenjë të lartë përgjegjësie dhe solidariteti që treguam pas agresionit rus, për t’i prerë rrugën çdo përpjekjeje për cënimin e integritetit territorial dhe karakterit multi-etnik të Bosnje-Hercegovinës, për të përmbyllur procesin e njohjes së Kosovës dhe nisjes së procedurave të anëtarësimit të saj në strukturat euro-atlantike, në NATO. Sot është koha, nesër mund të jetë vonë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb