Nga: FATMIRA NIKOLLI*TIRANE-Tjetërsimi i funksionit të hotel Dajtit, unë mendoj se do të thotë zhdukje e monumentit. Është si ta prishësh e të ndërtosh gjë tjetër”. Kështu shprehet për “Gazeta Shqiptare”, prof.Gjerak Karaiskaj, studiues i njohur i trashëgimisë kulturore. Për shkak të mungesës së ministres Mirela Kumbaro është shtyrë vendimmarrja, sa i takon miratimit të projektit të restaurimit që do ta kthente Dajtin në zyra të Bankës së Shqipërisë. Këshilli Kombëtar i Restaurimit nuk u mblodh dje, sikundër pritej, pasi ministrja po ndjek Bienalen e Venecias, e në mungesën e saj si kryetare e KKR-së, debati mbi ‘Dajtin’ ka përfshirë emra të njohur të trashëgimisë kulturore. Karaiskaj, si fillim kundërshton vetë Kumbaron, e cila para specialistëve ka shtruar pyetjen: Pse nuk e keni mbrojtur hotel Dajtin kur u shit. “Unë kam hapur një grup për monumentet për hotel Dajtin, pra kam reaguar që në atë kohë. Nuk jam fort i kënaqur nga mbrojtja që i bëhet nga Forumi i Trashëgimisë, është e dobët. Duhet ngritur zëri më fort, ashtu si u ngrit kur u shit. Nuk mund të themi, se ne duhet ta mbrojmë ‘Dajtin’ se është pjesë e qytetit. Jo, kjo nuk ka të bëjë fare, ne duhet ta mbrojmë sepse ai është monument kulture për vlerat që ka”,-thekson Karaiskaj.

Pyetjes nëse duhet tjetërsuar funksioni i tij, nga hotel në zyra banke, Karaiskaj i përgjigjet: “Absolutisht nuk duhet ndryshuar, por duhet restauruar duke e sjellë në gjendjen që ka qenë. Nuk duhet bërë përjashtim vetëm për dhomat, pasi Dajti vlerën më të madhe e ka tek holli. Dhomat janë të fundit, kanë nevojë për pak ndryshime. Jam i mendimit se pjesët kryesore të tij duhen sjellë në gjendjen që kanë pasur, sepse për mua rijetëzim nuk duhet të jetë shkatërrim. DILEMA? JO MË! Ndërsa Këshilli Kombëtar i Restaurimit gjendet para dilemës, se nëse nuk restaurohet tani, a mund të mbetet gërmadhë? A ka gjasa për të mbetur si një zgërdallë në mes të qytetit, pasi rijetëzimi i tij kushton një djall e gjysmë? A duhet ta shpëtojmë duke e kthyer në bankë, apo kështu e zhdukim dhe duhet ta lëmë siç është, Karaiskaj, mendon se nuk ka fare dilema. As kur i përmendim shifrën prej 14 milionë eurosh që kërkon rikthimi i tij në identitet, ai nuk kthehet. “Restaurimi le të shkojë sa të dojë. Kam dëgjuar të flitet se Ministria e Kulturës dhe KKR e ka të vështirë sepse ka një marrëveshje mes Bankës së Shqipërisë dhe qeverisë “Berisha”, pra shtetit shqiptar. Unë them nuk ka asnjë vështirësi”. I pyetur pse, ai argumenton se marrëveshja në atë kohë është bërë jashtë ligjit. Shitja e hotelit për ta kthyer në zyra, duhet të kishte kaluar në atë kohë në KKR. Nëse kjo nuk ka ndodhur, atëherë shitja ka qenë e jashtëligjshme. Ndaj, nuk ka asnjë vështirësi t’i thuash jo një projekti të ngritur mbi një shitje të jashtëligjshme.”Një marrëveshje e paligjshme bie vetvetiu.

Në fillim qe hedhur ideja që aty duheshin bërë zyrat e Ministrisë së Jashtme, pastaj zyra për BSH. Ja, sepse duheshin para për fushatën, shteti i bleu shtetit Dajtin”, -nënvizon Karaiskaj. Ai shton më tej se projekti nga Banka e Shqipërisë nuk duhet të ishte porositur pa miratimin e KKR, sepse tani po shtrohet tjetërsimi i tij. “Banka e Shqipërisë, e dinte që në fillim se ishte monument, nuk po e zbulon tani. Për mendimin tim, hoteli është marrë me një kontratë të paligjshme, ndaj s’ka asnjë vështirësi për ta kthyer”,-thotë Karaiskaj. Pyetjes se ç’duhet bërë me të, ai i përgjigjet: “Le të bëhet siç ka propozuar Aleksandër Meksi, një hotel ku 80 % të aksioneve t’i ketë privati e 20% shteti, i cili dërgon aty delegacionet e huaja dhe ndërkohë kujdeset për ruajtjen e monumentit. Në fund dua ta shtroj edhe çështjen e tavernës së tij, e cila ishte një kryevepër e arkitekturës dhe e kanë kthyer në lokal fshatarësh. Është turp”.

(a.n/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: