Politika gjermane u zemërua nga aktivistët e klimës që demonstruan në Berlin të shtunën dhe hodhën lëng të zi mbi monumentin ku janë gdhendur nenet e Kushtetutës, pranë ndërtesës së Bundestagut.

“Një monument me Kushtetutën tonë u njollos. Kjo më zemëron dhe nuk e kuptoj fare”, tha kryetari i Bundestagut, Berbel Bas, i cili vjen nga Partia Socialdemokrate.

Më herët, grupi “Letzte Generation”, i cili ka organizuar shumë demonstrata për të rritur ndërgjegjësimin e publikut kundër ndryshimeve klimatike, postoi një video në faqet e rrjeteve sociale ku shfaqeshin aktivistët të veshur me jelek portokalli duke derdhur lëngun e zi, në disa nga 19 panelet e xhamit, ku janë gdhendur nenet e Kushtetutës. Më pas ata ngjitën postera me sloganin “Naftë apo të drejta kushtetuese?”.

Policia tha se ende nuk është e qartë se çfarë ishte lëngu i zi. Një zëdhënës i autoriteteve tha se gjashtë aktivistët janë identifikuar dhe kundër tyre janë ngritur akuza. Monumenti “Grungesetz 49” është vepër e skulptorit izraelit Danny Karavan.

Aktivistët thanë se donin të protestonin kundër përdorimit të vazhdueshëm të lëndëve djegëse fosile nga Gjermania dhe t’i kujtonin qeverisë detyrën e saj kushtetuese për të vepruar kundër ndryshimeve klimatike.

“Kushtetuta mishëron lirinë, demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Ne nuk duhet ta njollosim kurrë atë ”, komentoi në Twitter Ministri Liberal i Drejtësisë Marco Busman, pavarësisht nga arsyeja.

Ky veprim u dënua edhe nga të Gjelbërit, pjesëmarrës në koalicionin qeveritar, por edhe nga opozita Kristian Demokrate.

Grupi “Brezi i fundit” ka organizuar shumë tubime së fundmi, duke bllokuar rrugët apo duke hedhur lëndë të ndryshme mbi pikturat, brenda muzeumeve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb