Prokurorët gjermanë thanë se nuk e përjashtojnë mundësinë që vrasja e dy ushtarëve ukrainas gjatë fundjavës mund të ketë pasur motive politike, teksa theksuan se kanë arrestuar një qytetar rus që dyshohet se ka therur për vdekje dy ushtarët.

Dy ushtarët – që po rikuperoheshin në jug të Gjermanisë – u gjetën jashtë një qendre tregtare në një qytet në Bavari mbrëmjen e së shtunës. Sipas policisë, ata kishin pësuar plagë serioze me thikë. Njëri prej tyre, 36 vjeç, vdiq në vendngjarje, ndërkaq ushtari tjetër 23 vjeç ndërroi jetë në spital si pasojë e plagëve të marra.

Një rus 57 vjeç është arrestuar pak pas vrasjeve të dyshuara, tha policia gjermane. Sipas informacioneve të para, tre personat duket se e kanë njohur njëri-tjetrin. “Motivi për krimin ende është i paqartë edhe pse motivi politik nuk mund të hidhet poshtë. Hetuesit po hetojnë në të gjitha drejtimet”, tha Zyra e Prokurorit të Munihut që po e trajton këtë rast.

Ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dymtro Kuleba, i ka kërkuar Konsullatës së Përgjithshme ukrainase në Munih që të monitorojë rastin dhe të vazhdojë të jetë në kontakt me autoritetet gjermane.

Ndërkaq, në një rast të ndarë dy shtetas gjermano-rusë u arrestuan në Gjermani më herët gjatë prillit nën dyshimet se po planifikonin sulme sabotuese, përfshirë ndaj ndërtesave ushtarake. Zyrtarët thanë se këto sulme synonin të minonin mbështetjen ushtarake për Ukrainën./Rel/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: