TIRANE- Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim me drejtorin aktual menaxhues të projektit TAP AG, Kjetil Tunglan dhe drejtorin e ri menaxhues të Projektit TAP, Ian Bradshaë.
Gjatë këtij takimi u diskutua ecuria e deri tanishme e projektit TAP dhe hapat që ka ndërmarrë Shqipëria në kuadër të bashkëpunimit për realizimin e projektit. Shumë shpejt pritet të nisë dhe puna në terren për ndërtimin e rrugëve të aksesit.
Ministri Gjiknuri shprehu edhe njëherë gatishmërinë e palës shqiptare për të mbështetur realizimin e këtij projekti, duke synuar njëkohësisht maksimalizimin e përftimeve ekonomike të vendit tonë nga kalimi i këtij gazsjellësi. Gjiknuri njohu drejtuesit e TAP-it për masat e ndërmarra deri më tani nga qeveria edhe sa i takon çështjes së gazifikimit të vendit. Ministri Gjiknuri tha se tanimë është siguruar fondi dhe po punohet për Masterplanin e gazit në Shqipëri, ndërsa në bashkëpunim me qeverinë e Azerbajxhanit dhe kompaninë shtetërore të naftës SOCAR, do të mundësohet hartimi i studimit të fizibilitetit.
Drejtorët e TAP vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm me qeverinë shqiptare dhe konkretisht me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë në drejtim të përmbushjes së detyrimeve reciproke.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: